Një udhërrëfyes për kuptimin e jetës - Gazeta Express
string(66) "nje%cc%88-udhe%cc%88rre%cc%88fyes-pe%cc%88r-kuptimin-e-jete%cc%88s"

Arte

Gazeta Express

30/03/2021 1:00

Një udhërrëfyes për kuptimin e jetës

Arte

Gazeta Express

30/03/2021 1:00

Atë të premte fundmarsi 2009 agimi ia behu me kujë e ofshamë. Qielli derdhej teposhtë me rrapëllimë e hakërrimë.

Në stacionin St. George mora shkallët lëvizëse që të nxjerrin në rrugën me po atë emër. Pasi kapërceva gjeometrinë trekëndore në stilin brutalist të bibliotekës Robarts, m’u shfaq binaja e Sidney Smith Hall-it, po aq e betontë, kaba dhe e mugët sa edhe çdo ndërtesë universitare e ndërtuar posaçërisht e kursimtarisht për të shërbyer si fabrikë prodhimi masiv punonjësish të ardhshëm të pajisur me arsim të lartë.

Lexo Edhe:

Në katin e katërt, në ndarjen në të djathtë të ashensorëve, trokita në derën 4046. Dr. Peterson-i e hapi, duke më zgjatur dorën për të më përshëndetur. Si degë shelgu pas shtrëngate, hutueshëm belbëzova se ishte më mirë të mos ia qullja pëllëmbën. Por, ai ma shtriu gjithsesi duke ma pritur me mirësjellje se uji i shiut qe i padëmshëm. Si më ndihmoi të vendosja mantelin në varëse, më ftoi të mblidhja veten e të ulesha në poltronën përballë tryezës së punës.

Paqja e atyshme nisi të më shtensionojë e të zhdavarisë harbimin e natyrës që më gjëmonte ende në tëmtha. Sytë e tij, sa të vëmendshëm edhe zhbirues, nën vetullat e rrepta më vështronin si prej një tisi që s’lejon kënd të shohë më shumë seç duhet, duke mos ia dalë dot gjithsesi të fshihnin thellëtirën e kushedi se çfarë brengash mundonjëse.

Ajo dhomëz, që përbënte këndin e tij të punës, s’mbante erë burokracie. Pak ngjashmëri kishte me një zyrë çfarëdo universitare (a në daç korporate), ku të përshëndesin po ato vitrina gazmore fotografish, aradhe çmimesh, certifikatash, fletëlavdërimesh, muresh me citate e postera frymëzues, vandakë shkresash në pritje për t’u radhitur dhe sirtarë metalikë që s’lodhen së arkivuari dosje të reja e të vjetra. Ajo hapësirë modeste, përkundrazi, dukej se ishte enkas e krijuar për të ndërthurur kreativitetin me rendin dhe funksionalitetin. Sa të grishte të harliseshe në imagjinatë a ëndërrim ditën për diell, aq edhe të nxiste të vije rregull e të ndaje brenda mendjes grurin nga egjra, të ftilloje e të tëharrje mendimet, të rrekeshe t’i vije me sira e të kridheshe në punë pa u trazuar. Ishte po aq edhe një kënd ku mund të bashkëbisedohej pa prani barrierash për të shestuar pikësynime, për të ftilluar andralla, për të zhdrivilluar probleme dhe për t’i peshuar e për t’u dhënë udhë zgjidhjeve.

Vend për klishe e tepri aty s’kishte. Në të majtë, nëse shihje me kujdes, në një cep si fshehur pranë portës pikasje dy portrete bardhezi shkrepur në ndonjë studio të viteve ’50-’60 që dokumentonin çaste të çmuara për kujtesën familjare. Sipër, përmbi derë, qëndronte një foto e madhe e portretit imponues të Hemingway-it. Kur e pyeta a mos portreti i një burri serioz që vinte menjëherë pas tij ishte i Sollzhenjicinit, u shpreh se studentët dhe përgjithësisht ata që hynin aty s’e vinin re ose, me gjasa, nuk e njihnin.

“Është letërsi që s’para gjen vend ndër shkollat tona”, – tha. Përmbi tryezën e punës, në një pikturë ruse që zinte një pjesë të mirë të faqes së murit, dy çarçafë të bardhë, përkundur prej puhisë, zdritnin oborrin e gjelbër larë prej vesës së mëngjesit në një shtëpi të thjeshtë fshati. Këndet e mureve dhe parvazin e gjerë të dritares i hijeshonin objekte e skulptura të vjetra e të reja, maska ngjyrëndezura e punime artistike indigjenësh të Veriut. Kurse pranë raftit të librave përbri rrinte sendërtimi trepërmasor mbi bazën e vizatimit të tij tashmë emblematik, konceptuar si tunel kaleidoskopik i përftuar prej një shumësie fraktalesh modeluar sipas strukturës gjeometrike të një guri diamanti. E pata ndeshur në ballinën e librit Hartat e kuptimit, arkitektura e besimit (1999) atë trajtë gjeometrike me të cilën Peterson-i rreket të përcjellë vizualisht konceptin e kuptimësisë, si të ishte shëmbëlltyra e asaj që na kumtojnë shtresëzimet, frazat e tingujt muzikorë.

Çdo sipërfaqe tjetër vertikale e asaj ode vishej me nikoqirllëk prej raftesh cit në libra të ujdisur me kujdes. Meqë në atë periudhë fusha parësore studimore e Peterson-it qe personaliteti dhe matjet e tipareve të tij, do të pandehje se në zyrën e tij të punës do të dominonte literatura kërkimore prej teknicienësh dhe neuro-eksperimentuesish të tejspecializuar. Të tillë doemos kishte dhe fundja njëri prej tyre ishte ai vetë. Mirëpo, më fort se qoshen e një teknicieni, ajo fole të sillte ndër mend tempullin e paqtë të një dijetari oshënar në shoqëri të zgjedhur mendjesh të ndritura të derdhura përfundimisht në letër dhe objekte artistike.

Lëmi parësor i hulumtimit të tij teorik dhe klinik është psikologjia. Te ky stacion diturie, pas kryerjes së studimeve universitare në fushën e shkencave politike dhe pjerrjes së hershme për nga e majta politike, e solli rrugëtimi drejt vetëzbulimit e vetëdijesimit përmes ushtrimit të shqyrtimit të rreptë kritik të motivimit personal, sistemit të vlerave dhe besimeve, dhe vënien në kandarin etik të sjelljeve dhe veprimeve vetjake.

Në këtë kontekst, përmbajtja librore e rafteve vizatonte kthjelltazi hartën e trajektoreve dhe stacioneve të tij të edukimit dhe mbrujtjes intelektuale. Si për të shpaluar qasjen e tij utilitare e pragmatike, pranë librave, rrinin në varg gjithëfarë veglash të thjeshta dore që gjenden në çdo shtëpi, sikurse pinca, darë, çekiçë, leva e kaçavida.

Përmbajtja e asaj biblioteke shënonte rrethprerjen e hulumtuesit të neuropsikologjisë dhe psikologut klinik, filozofit dhe humanistit, dashnorit të letërsisë dhe artit, por dhe të ustait praktik që i hanë duart për punë dhe i ka veglat e punës gati për të ndrequr çfarë s’funksionon siç duhet nëpër shtëpi.

Po të nisesh prej titullit, mbase e merr librin 12 rregulla për jetën për ndonjërin nga manualet që zakonisht gjenden në çdo hyrje librarie, të pozicionuar enkas për të ndjellë blerësit që gjurmojnë receta punëmbaruese e andrallashpëtuese, çudibërëse e frymëzuese, suksespërshkruese e lumturigarantuese. Por, paçka se vërtet ngrihet mbi 12 parime në dukje të thjeshta, libri pak pikëprerje ka me stilin dhe marifetet e trajtës “si të shkëlqesh kudo e kurdoherë me 12 hapa për 12 ditë”.

Përkundrazi, kumti në qendër të këtij libri, sa i moçëm aq edhe modern, i zbulueshëm në pikëtakime mitologjike, religjioze, filozofike, psikologjike dhe letrare, është sa i kulluar dhe i thjeshtë, aq edhe i rëndë dhe i zymtë, i përftuar sa përmes përvojave personale e marrjes së vetes në pyetje, aq edhe i mirëmbështetur dhe i verifikuar përmes dijeve që trashëgojmë prej mendjeve më të spikatura të njerëzimit.

Ai rreh të nyjëtojë atë që në brendinë tonë më të thellë e ndiejmë dhe e përjetojmë, paçka se jo doemos mundemi ta artikulojmë a priremi ta pranojmë: kuptimi përligj vuajtjen dhe kuptimi zbulohet përmes përgjegjësisë. Është kjo dija e dorës së parë dhe e pashmangshme, që na lypset për t’u bërë ballë pengesave që bashkëshoqërojnë shtegun gjarpërues të jetës dhe sfilitjeve që mund ta thyejnë e ta zvetënojnë shpirtin njerëzor, sepse, siç vëren Viktor Frankl te libërthi i vlertë Njeriu në kërkim të kuptimit, vuajta pushon së qeni e tillë veç kur përpuqet me kuptimin.

Ky libër, pjesë e diskursit të munguar që mëton të zgjojë interesin për të shqyrtuar raportin mes kuptimit dhe përgjegjësisë, duket sikur s’ka fort të bëjë me klimën e sotme të botës perëndimore ku i mëshohet qerthullit të të drejtave dhe privilegjeve (paçka se nuk e mohon aspak rëndësinë e të drejtave njerëzore). Përqasja kuptim-përgjegjësi këtu, pra kërkimi i kuptimit jo te këmbëngulja për të drejta e privilegje, por, përkundrazi, te marrja e përgjegjësisë, sado e sertë të tingëllojë dhe sado larg prej imazhit fluturak të jetës-përrallë me destinacion lumturinë, përkundër gjasave, rezulton e mirëpritur nga miliona të rinj kudo në botë, të cilëve, ashtu si edhe në Shqipëri, kultura, stili i jetesës dhe gjithësia online iu servirin bash të kundërtën: konsumerizmin, eskapizmin dhe kënaqësinë e përftuar me mjete çudibërëse e rrugë të shkurtra, që s’kanë të bëjnë as me përgjegjësinë, as me kuptimin.

Ky libër, pra, e kthen vështrimin për nga vuajtja, si një e vërtetë e pashmangshme e realitet i provueshëm, që buron nga përkohësia jonë dhe vetëdija se ekzistenca, ashtu sikurse çdo lojë çfarëdo, është e mundur vetëm brenda një qarku kufijsh, rregullash dhe kushtesh. Jo më kot, sikurse e ka thënë Dostojevski te Shënimet prej nëntoke, “jeta është një proces në të cilin vatra e dhimbjes zhvendoset, por nuk zhduket”.

Duke qenë kështu, nëse librin 12 rregulla për jetën do ta përmblidhnim në një kryepyetje, ajo do të ishte: “Si të sillemi duke e ditur se jemi të përkohshëm dhe se jeta për shkak të kufizimeve është vuajtje?”

Lënda që shtjellohet këtu është për ato mendje që i grish dhe i ngacmon kjo pyetje. Pikërisht për të tilla mendje, të cilat kanë ndjeshmëri të lartë edhe ndaj raportit të ndërlikuar liri-disiplinë, me të cilin përballet shoqëria shqiptare sot, ky libër mund t’u shërbejë si udhërrëfyes në kërkim të shtegut të kuptimtë të jetës. Përmes faqeve të këtij libri lexuesi i interesuar do të mësojë se potenciali që ngërthehet së brendshmi te cilido individ s’ka si të shpalohet si liri veprimi pa përvetësuar kryesëpari disiplinën, pa ushtrimin e së cilës as që mund të flitet për rregullin – për rregullin si prita më efikase ndaj nihilizmit dhe dëshpërimit që kall gjendja e pashpresë, ky rrezik i njëmendtë ekzistencial sidomos për të rinjtë shqiptarë sot.

Një tjetër mësim, që bazohet në analizën e gjëmave të shekullit XX, është ai që lidhet me mënyrën se si e shohim veten të pozicionuar në raport me krimet e së kaluarës dhe sa jemi në gjendje ta përfytyrojmë veten në rolin e antiheroit ose të kriminelit përmes veprimeve dhe mosveprimeve tona. Ashtu si fëmijët që identifikohen në çdo përrallë me “të mirët”, edhe të rriturit po njësoj identifikohen me të mirën që mishëron heroi ose heroina protagoniste. Kur shohim një film si Lista e Schindler-it, të prekur deri në ngashërim, njësohemi pa ndërdyshje me Schindler-in.

Mirëpo, natyrisht, duhet më parë të vihemi në provë, pa t’ia dëftojmë, sidomos vetes, se cilët, në fakt, jemi dhe si do të vepronim. Ka shumë më tepër gjasa që të shumtët ndër ne të zgjidhnin (me vepra, jo me fjalë) të bënin rojtarin e burgut, kalecin, spiunin, ose shefin e kapanonit, që është edhe më i zellshëm e katil se eprori, duke fuqizuar ose duke mbështetur kështu të keqen, madje edhe përmes heshtjes ose hedhjes së syve mënjanë.Nëse vërtet synon përmirësimin, vështrimin lart e përpara, duhet kuptuar se “Asnjë pemë s’rritet dot deri lart në Qiell, nëse rrënjët s’i mbërrijnë dot gjer poshtë në Ferr.” siç vëren C. G. Jung. Aq më tepër vlen kjo për Shqipërinë, e cila pas dekadash tranzicioni ende s’e njeh, bën sikur s’e njeh, s’është gati a s’dëshiron të njohë e ta shohë në sy të kaluarën e saj të spiunëve, të kalecëve e të torturuesve.

Qysh në pikënisje, kur mora përsipër sjelljen në shqip të këtij libri, ia kam bërë vetes pyetjen: “Në ç’masë idetë dhe principet që shtjellohen këtu, prej perspektivës së një vendi të begatë e me demokraci të konsoliduar si Kanadaja, përkojnë me realitetin shqiptar dhe sa i vlejnë lexuesit shqiptar?” Përsiatja që më ka shoqëruar gjatë rrugëtimit tim si përkthyese më ka sjellë në këtë shteg arsyetimi: Natyra e diskursit publik në Shqipëri përcaktohet doemos nga shkalla e zhvillimit demokratik, që vijon të jetë i brishtë e në fazë adoleshence. Kur nisa punë tek Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara (USAID) në fillim të viteve ’90, hamendësohej se ndihma dhe mbështetja e kësaj organizate do t’i lypsej Shqipërisë diku te ndonjë duzinë vitesh a diçka më shumë.

Mirëpo, në mbarim të dekadës së tretë, në faqen online të USAID-it, shërbimi i së cilës ende lypset për të zbutur varfërinë dhe për të forcuar rendin demokratik në Shqipëri, lexon: “Edhe pse ekonomia e Shqipërisë vijon të rritet, vendi është ende nga më të varfrit në Europë, i penguar prej një ekonomie të konsiderueshme informale dhe niveleve të larta të korrupsionit, që i vështirësojnë përpjekjet për reforma.”

Mirëpo, pavarësisht kësaj panorame, Shqipëria është, megjithatë, vend ekzistenca e të cilit s’mund të mendohet pa ndërveprimin shumëpërmasor brenda një bote ku shtetet edhe për shkak të teknologjive të komunikimit gjithnjë e më shumë përziejnë kulturat, ndikohen nga lëvizjet migratore e demografike dhe rreken t’u binden ligjeve e rregullave gjithnjë e më të ngjashme. Nga ana tjetër, Shqipëria, e cila ka eksportuar një pjesë të mirë të popullsisë së vet në vendet perëndimore, gjithnjë ka mëtuar ta bëjë të vetin modelin perëndimor duke ia adoptuar qasjet, ligjet, rregullat dhe format e komunikimit edhe kur s’ka qenë ose ende s’është gati kulturalisht dhe mendërisht për t’ia përvetësuar sistemin e vlerave.

Mirëpo, me gjithë dallimet, përballjen e gjatë me gangrenën e korrupsionit dhe humbjes së besimit, veçantitë dhe mospërkimet e kuptueshme zhvillimore dhe historike, shumë nga debatet e nxehta në botën e zhvilluar që lidhen me themelet e demokracisë, si liria e fjalës, problemet e diskriminimit dhe pabarazia gjinore, çështjet e besimit dhe arsimit, politikës së majtë dhe të djathtë, herët a vonë do të jenë (në mos janë) tema të nxehta e me rëndësi edhe në Shqipëri.

Për më tepër, nëse sinorët e diskursit publik në vende, si Kanadaja, SHBA-të apo Britania e Madhe e gjetiu vijnë e bëhen aq të ngurtë, saqë diskutimet e hapura e transparente për çështje kontroversiale bëhen gati të pamundura e ndëshkuese nëse dalin prej shinave të ngushta e të ngurta gjuhësore të diktuara politikisht, kjo do të thotë se Shqipëria me fytyrën e kthyer nga perëndimi, si hallkë e të njëjtit zinxhir, paçka se ende nga bishti, s’mund të mbyllë sytë e veshët.

Deri aty nga mesi i viteve 2010 prof. Jordan B. Peterson njihej prej studentëve të psikologjisë në Universitetin e Torontos, një rrethi klientësh në praktikën e tij klinike dhe një numri ndjekësish të programeve të kanalit televiziv publik TVO të provincës së Ontarios, ku e ftonin shpesh. Popullariteti i tij ushqehej edhe nga suksesi i ligjëratave të hedhura falas në YouTube, të cilat mbështeten në tezat dhe idetë e librit Hartat e kuptimit.

Mirëpo, flurudha e tij e hatashme mediatike dhe trokitja me sokëllimë në vëmendjen botërore e pati pikënisjen te një video 3-pjesëshe e titulluar Profesori kundër korrektesës politike, hedhur në Patreon në fund të shtatorit të 2016-s. Ajo gjeti sakaq udhën për te sytë dhe veshët e publikut që ishte, me sa duket, i uritur për të dëgjuar çka nuk gjendej në parashikueshmërinë e ligjërimit bajat publik, gjithnjë i mbështjellë me po ato petka të korrektësisë politike.

Përkundër gjasave, shumë njerëz pikasën vërtetësi e tejdukshmëri jo vetëm sa i takon përmbajtjes, por edhe gatishmërisë për ta artikuluar mendimin shqeto, pavarësisht stepjes frenuese dhe drojës paralizuese teksa ti e di mirë se ajo që po bën mund të ketë çmim të lartë e të papërballueshëm.

Në atë video-regjistrim Peterson-i, ndër të tjera arsyeton mospajtimin e tij me ligjin e ashtuquajtur Bill C-16, me të cilin ndryshohet Akti Kanadez i të Drejtave Njerëzore dhe Kodi Kriminal, me qëllim që të ndalojë diskriminimin mbi bazën e identitetit dhe të shprehjes gjinore, duke i bërë vend ndjeshmërisë gjuhësore që lidhet me transgjinorët dhe konkretisht, detyrimit për t’iu drejtuar dikujt me përemrin vetor të parapëlqyer (kushdo sendërton përemrin ose neologjizmin me të cilin dëshiron të thirret prej të tjerëve dhe këta me forcën e ligjit duhet t’ia respektojnë kërkesën).

Ndoshta numri i njerëzve me kërkesa të tilla është tepër i vogël për të krijuar pështjellim të madh, të trajtës stuhi në gotë. Dhe ndoshta s’ia vlen barra qiranë që kërkesa e dikujt për t’u thirrur në anglisht zie, sie, zim, zhe, zhey (lista vjen duke u zgjatur) të mos respektohet.

Megjithatë, teza që mbron Peterson-i është se ky ligj i paprecedent në historinë e së drejtës zakonore angleze do të thotë të shkelësh civilizimin perëndimor. Edhe pse pohon se, nëse dikush do t’i kërkonte personalisht t’i drejtohej me përemrin e preferuar, dëshirën me gjasa do t’ia plotësonte, Peterson-i, megjithatë, tërheq vëmendjen se ky ligj shënon një kapërcim prej rrafshit ku ndëshkohesh nëse përdor gjuhë urrejtjeje, në rrafshin ku, përkundrazi, ndëshkohesh nëse refuzon të përdorësh fjalë të parafabrikuara e të detyrueshme me ligj. Çfarë e shqetëson, s’është edhe aq ligji si i tillë, por doktrina dhe ideologjia ku themelohet ligji, që regjimentojnë fjalën dhe pastaj mendimin.

Duke e këqyrur diçka të tillë si imponim të fjalës rrasur forcërisht në grykë si shtupë, gjatë një debati në Universitetin e Torontos në nëntor të 2016-s, ai u shpreh: “S’kam për t’u katandisur në zëdhënës të një gjuhe që e përçmoj, dhe s’e luan topi!” Ai debat, nga më të vështirët e më të pamundurit që më ka rënë rasti të shoh që prej largimit nga Shqipëria, dukej si inskenim i frymëzuar prej gjyqeve politike të viteve ’70-’80 të Partisë së Punës të Shqipërisë, ku individi i gozhduar me shpatullat pas murit s’ishte më shumë se një tabelë pritëse goditjesh unanime.

Veçse, në ndryshim nga viktima e atyre viteve të errëta, e cila jo vetëm s’u shpëtonte goditjeve, por edhe i pranonte tragjikomikisht duke thirrur “Rroftë Partia!”, ky profesor pa përkatësi partiake, që përndryshe s’e pengonte kurrgjë të shijonte i patrazuar e në rehati suksesin e një karriere të konsoliduar, pati guximin që, edhe përmes shkundullimit të kuptueshëm emocional që njeriu provon kur e di se rrezikon shumëçka e veç një hap e ndan prej greminës, t’i dilte për zot pikëpamjeve personale, qoftë edhe sikur të katandisej i shpërnjohur prej kolegëve e miqve (shumë prej të cilëve nxituan me zell të firmosnin denoncime e peticione që lypnin pezullimin e tij nga puna; nga ata që heshtën e që kishin pikëpamje të ngjashme, askush, me sa di, s’pati guximin të rrezikonte duke i dalë në krah) e duke marrë në sy koston dhe pasojat e mundshme, sikurse shkatërrimi i reputacionit, përmbysja e karrierës dhe margjinalizimi publik e shoqëror.

Pavarësisht përpjekjeve mediatike për ta ngjyrosur politikisht (posaçërisht si të djathtë), për ta urryer ose për ta adhuruar nisur prej kornizash të ngushta binare “i djathtë-i majtë”, “me ne-me ata”, ajo çka Peterson-i nyjëton është në thelb e zhveshur nga zhgualli politik dhe e pamotivuar ideologjikisht. Pikësëpari, për këtë mendimtar, ikonoklast, renegat akademik, personalitet mediatik joortodoks, që s’e ha meraku fort në pëlqehet a jo prej gjithkujt, i zoti të gozhdojë vëmendjen e dëgjuesve me orë të tëra pa ndërprerje, çdo temë e problem është i mirëpritur të vendoset mbi tryezën e diskutimit, me kusht që të mos ndodhet aty për qoka politike dhe të mos jetë recitim ideologjik prej papagalli.

Ligjërimi i tij me profil kryesëpari psikologjik, por edhe po aq filozofik dhe teologjik, sfidon llogoret ideologjike të majta ose të djathta duke u lëshuar dritën e një aparati kritik e qasjeje ndërdisiplinore që shpalohet në bashkëbisedime me cilindo diskutant, pavarësisht kahut politik a pikëpamjeve të kundërta.

Shembujt shkojnë prej filozofit e neurohulumtuesit Sam Harris te publicisti konservativ Ben Shapiro, prej gazetareve Cathy Newman e Helen Lewis te filozofi hegelian Slavoj Žižek, prej gazetares Dekka Aitkenhead te një nga kritiket më të rrepta të islamit Ayyan Hirsi Ali, prej konservatorëve Douglas Murray e Roger Scruton te psikologu social Jonathan Haidt, prej ish-politikanit John Andersen, matematikani Eric Weinstein dhe biologu Bret Weinstein, dhe lista është e gjatë.

Me penën që vizaton lëngatën shpirtërore të kulturës perëndimore të sotme, me njohjen dhe zhdërvjelltësinë prej dijetari, Peterson-i flet për sferën e koncepteve dhe ideve – për të cilat C. G. Jung frikshmërisht është shprehur se “idetë të artikulojnë, nuk i artikulon” – të ndërgjegjes dhe pandërgjegjes, të së mirës dhe së keqes, sikur ato të jenë edhe më reale, konkrete e të gjalla sesa vetë njerëzit.

Duke ndërthurur në mënyrë ndërdisiplinore psikologjinë evolucionare, psikologjinë mitologjike jungiane, analizën e rrëfenjave të moçme biblike dhe studimin e së keqes, ky studiues na ofron thjerrëza të reja me të cilat të kuptojmë ideologjitë e djathta dhe të majta. Pikërisht kjo qasje e freskët duhet të jetë edhe çelësi që shpjegon se përse mesazhi i tij zë vend në mendjen e shumë njerëzve, sidomos në atë të të rinjve, që e përpijnë fjalën e tij si ara e përcëlluar dushin freskues që lëshohet prej reve të mbarsura. Me sa duket, njerëzve ende u intereson dialogu safi dhe i thellë intelektual.

Nga ana tjetër, teknologjitë e reja, veçanërisht formati podcast, janë platforma e duhur për të përcjellë falas e me shtrirje të gjerë këtë dialog që ngrihet mbi një oratori që dëshmon se gjuha e folur mund të garojë po aq peshërëndë dhe e ngjeshur në kuptim me gjuhën e shkruar, e për më tepër falas e duke rrokur të gjithë veshët e interesuar.

Së fundi, ajo çka lexuesi i kultivuar shpresoj të gjejë në këtë libër është një platformë idesh e principesh që ftojnë mendjen kureshtare të shestojë modelet e veta të të menduarit, të përqasë argumente dhe arsyetime në mënyrë të çinteresuar, të ngrejë dyshime e të gjejë qasje që e mbrojnë prej kurthit të manipulimit ideologjik e që e orientojnë drejt vetëpërmirësimit. Të gjitha këto kërkojnë të duash të mësosh si të vallëzosh me kujdes përgjatë kufijve kaos-rregull, duke qëndruar në baraspeshë me njërën këmbë në truallin e kaosit dhe këmbën tjetër në truallin e rregullit. *Materiali është pjesë nga parathënia e librit “12 rregulla për jetën, një antidot ndaj kaosit” i autorit Jordan B. Peterson që ka përgatitur përkthyesja / Leximtari / GazetaMetro/ Atena Bishka