Nisma për shkarkimin e Metës, zbardhen detaje nga mbledhja e PS-së. Çfarë po pret Rama


load
Gazeta Express
14 Tetor 2019 12:06

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje me grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Mësohet se në mbledhje është diskutuar edhe në lidhje me nismën e mazhorancës për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Sipas burimeve brenda PS-së, gjatë mbledhjes, shefi i qeverisë ka theksuar se për veprimet që do të ndërmerren në lidhje me çështjen “Meta”, do të pritet raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias.

“Do presim publikimin e raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Më pas do hartohet një dokument shpjegues me të gjitha hapat që duhen ndjekur,”– citohet të jetë shprehur kryeministri.

Javën e kaluar, Komisioni i Venecias doli në konkluzionin se shkarkimi i Metës, lidhur me vendimin e tij për anulimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve vendore, mund të mos jetë i justifikueshëm. “Edhe nëse Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat me shtyrjen e zgjedhjeve lokale, shkarkimi mund të mos justifikohet.”- shkruhej në komunikatën e Komisionit të Venecias për raportin përfundimtar mbi antikushtetueshmërinë e dekretit të Metës për lokalet.

Sipas ekspertëve të “Venecias”, ndonëse Meta mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, ka indikacione se “veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që mund të justifikojnë shkarkimin”. “Në sfondin e një procedure aktuale të shkarkimit të presidentit shqiptar, Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej mandatit elektoral të autoriteteve lokale, ekspertët e Këshillit të Evropës në Komisionin e Venecias konkludojnë se ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që mund të justifikojnë shkarkimin”, thuhet në komunikatë

Në këtë kontekst, nënvizohet thirrja e kreut të shtetit për dialog dhe besimi i shprehur prej tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kontribuonte në gjetjen e një kompromisi midis partive. “Ekspertët nënvizojnë thirrjen e Presidentit për dialog dhe besimin se shtyrja e zgjedhje mund të kontribuonte në një kompromis midis partive. Ata theksojnë mungesën e sfidimit të dekreteve të Presidentit përpara një gjykate.

Për më tepër, zgjedhjet lokale nuk kanë të njëjtin status kushtetues si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë se edhe nëse Kuvendi do të përcaktonte seriozitetin e shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në shkarkim, duke marrë parasysh fuqinë e seancave plenare të Kuvendit për të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë mbajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabiliteti në vend.”- vërehet në komunikatë.

Më tej, në komunikatë theksohet gjithashtu se presidenti nuk mund të shtyjë zgjedhjet pa arritjen e konsensusit politik, por gjithsesi, vihet në dyshim nëse ky akt përbën një shkelje serioze.“Në opinionin e miratuar sot, i cili është bërë me kërkesë të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias thekson se Presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rastet e emergjencave shtetërore, si lufta apo katastrofat natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një legjislacion ‘ad hoc’ për të shtyrë zgjedhjet.

Në përgjigje të krizës politike në vend dhe bojkotit elektoral nga disa parti të mëdha politike, Presidenti fillimisht anuloi dhe më pas i shtyu zgjedhjet lokale. Edhe nëse Parlamenti mund të konfirmojë se Presidenti ka tejkaluar kompetencat, Komisioni i Venecias vë në pikëpyetje nëse kjo është e një karakteri të tillë sa të provojë shkelje serioze”, shkruhet në vijim.

Komunikata mbyllej duke theksuar se pavarësisht vendimit të Kuvendit për shkarkimin ose jo të presidentit, vendimi përfundimtar i takon Gjykatë Kushtetuese. “Nëse Kuvendi do të vendoste në favor të shkarkimit, në fund do t’i takonte Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht nuk funksionon, të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit janë shkelje ‘serioze’ që do të justifikonin shkarkimin e tij”, përmbyllet komunikata.

Ndërkohë, raporti përfundimtar pritet të publikohet ditën e sotme.

Te fundit


Kthehu lart