Në Samitin e Londrës, marrëveshja për linjë hekurudhore mes Kosovës e Serbisë është konsideruar si një nga çështjet kyçe për Kosovën. Kryeministri Albin Kurti ndërkaq ka folur për investimet e diasporës.
Në Samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për investime në Ballkanin Perëndimor, kanë filluar diskutimet, ndërsa paneli përbëhet nga liderët e gjashtë shteteve ballkanike. Kosovën e përfaqëson kryeministri Kurti, ndërsa Serbinë, kryeministrja Ana Bërnabiq.
Në postimet e BERZH-it në Twitter, marrëveshjen për linjë hekurudhore e kanë quajtur “linjë veri-jug”.
“Lidhja rajonale veri-jug, bashkëpunimi rajonal nën kornizat e integrimit në Bashkimin Evropian, janë çështje kyçe për Kosovën”, shkruan në postimin e BERZH-it.
Ndërkaq, kryeministri Kurti nuk i ka përkrahur marrëveshjet e fundit me Serbinë për linjën hekurudhore dhe ndërtimin e autostradës, duke thënë se ato u nënshkruan pa dijeninë e Qeverisë.
Kryeministri në fjalën e tij, citohet të ketë folur për diasporën që Kosova e ka dhe për investimet e tyre.
“Ne kemi një diasporë të madhe dhe investimet nga ta do ta ndihmonin Kosovën tejet shumë”, ka thënë Kurti.
BERZH-i bën të ditur se këtë vit do të investojë një miliard euro në shtetet e Ballkanin Perëndimor.
Kurti si kryeministër është ulur për herë të parë krah homologes së tij serbe. /Express/