“Nipi i prokurorit famëkeq të diktaturës?!” Reagon kandidati për kryeprokuror Olsian Çela


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 22:01

“Po vjen nipi i prokurorit gjakatar Aranit Çela”, ishte fraza që dominoi për disa orë rrjetet sociale kur Olsian Çela u rendit në krye të listës së kandidatëve për Prokuror i Përgjithshem.

Po supozohej se Olsian Çela ishte nipi i prokurorit të diktaturës Aranit Çela dhe kaq mjaftoi për të krijuar stuhi sulmesh kundër tij.

Pas rrëmujës së krijuar në disa media e rrjete sociale, Olsian Çela ka sqaruar për ABC News se nuk ka asnjë lidhje me prokurorin e diktaturës komunsite.

Mbiemri “Çela” dhe profesioni “prokuror”, janë dy detaje që aksidentalisht e lidhën Olsian Çelën me prokurorin famëkeq të kohës së diktaturës. Prokurori i ri i kohëve të sotme ka dëgjuar me siguri për ish-prokurorin gjakatar, por ndoshta kurrë nuk i kishte shkuar në mëndje se qoftë edhe për pak orë, do të gjendej nëpër rrjetet sociale e disa media, si nipi i tij, pra nipi i prokurorit komunist Aranit Çela.

I sapo renditur në krye të listës së kandidatëve për Prokruror i Përgjithshëm, Olsian Çela, ishte një ndër emrat më të përmendur nëpër rrjete sociale gjatë ditës së enjte…qindra statuse personash publikë e të tjerë iu sulën duke e lidhur me gjyshin e supozuar, prokurorin e diktaturës, Aranit Çela, me të cilin për rastësi mban të njëjtin mbiemër.

“Ky është gjyshi im i pushkatuar nga gjyshi i atij që kryeson listën e kandidatëve për Prokuror i Përgjithshëm. Ta gëzoni reformën në drejtësi!” janë fjalë të shkëputura nga një status në facebook i Genc Sejkos, një prej personazheve më aktive në rrjetet sociale, i njohur për memet e tij të goditura. Por pak orë më vonë, në mëngjesin e së premtes, Genc Sejko kërkoi ndjesë publikisht duke sqaruar se informacionet për kandidatin për Prokuror të Përgjithshëm i kishte të gabuara: Kurrë nuk kam qenë më i lumtur që isha gabim”, shkruan ndër të tjera Sejko.

Sepse Olsian Çela nuk ka asnjë lidhje farefisnore me ish-prokurorin e diktaurës. I pyetur ai tha: “Nuk kam asnjë lidhje farefisnore me Aranit Çelën”.

Kandidati për kryeprokuror Olsian Çela ka përgënjështruar lajmin duke mohuar kategorikisht lidhjen familjare me Aranit Çelën. Sulmi mediatik ndaj Olsian Çelës vjen menjëherë pasi është renditur i pari në garën për Prokuror të Përgjithshëm duke marrë pikët më të larta në renditjen e KLP-së.

Me 459 pikë, është renditur në krye të listës së KLP-së, kandidati për Prokuror i Përgjithshëm Olsian Çela. Ai ka lënë pas dy kandidatet e tjera, Arta Marku me 406 pikë dhe Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Është kandidati i vetëm për Kryeprokuror që është paraqitur me një platformë që parashikon cila do të jetë Prokuroria e Përgjithshme e drejtuar prej tij.

Ish-drejtues i Krimeve të Rënda, në kohën e tij ka goditur grupe kriminale si ai i Shullazit dhe ka hetuar çështjen e Xibrakës. Është një ndër prokurorët që veçohet për profesionalizëm dhe integritetin në detyrën e tij prej, 18 vitesh.

Te fundit


Kthehu lart