Nga lufta në ‘St. Mary’s”: Historia e përgjakshme e Kombëtares së Kosovës


Gazeta Express
10 Shtator 2019 14:53

20 vjet pasi lufta brutale e gjunjëzoi vendin, një skuadër plot refugjatë tani është në prag të kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020.

Kur mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, e shënoi golin vendimtar në fitoren me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Republikës Çeke të shtunën, 13 mijë tifozë në Prishtinë u ngritën në këmbë, por jo në shenjë habie, shkruan Inews.co.uk, transmeton Gazeta Express.

Para tre muajve, Kosova nuk e kishte fituar asnjëherë ndonjë ndeshje kualifikuese. Tani, ata e kanë një ecuri prej 15 ndeshjeve pa asnjë disfatë dhe i kanë dy fitore radhazi, duke qëndruar në pozitë të mirë për ta siguruar kualifikimin në EURO 2020 nga Grupi A.

Skuadra u pranua si anëtare e UEFA-s vetëm në vitin 2016. Ky është vetëm tentimi i tyre i dytë për të marrë pjesë në një turne të madh, por tashmë ata e kanë lënë kampanjën zhgënjyese për kualifikim në Kupën e Botës prapa vetes. Fitore apo disfatë kundër Anglisë sonte, pjesa e vështirë ka marrë fund.

Kjo nuk është aspak një përrallë. Kosova, që kishte qenë pjesë e Jugosllavisë në të kaluarën, e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, edhe pse Beogradi ende s’e pranon shtetësinë e vendit të ri.

Para kësaj, në luftë brutale mes viteve 1998-99 e gjunjëzoi vendin, me më shumë se 13 mijë njerëz të vdekur dhe mijëra të tjerë të zhvendosur, përderisa rezistenca shqiptare tentonte të luftonte kundër regjimit serb.

Futbolli i Kosovës nuk është asgjë nëse nuk është produkt i të kaluarës së dhimbshme të vendit. Në vitin 1991, kur popullsia shqiptare vuante nën regjimin serb, liga kosovare u bë e jashtëligjshme nga autoritetet regjionale. Ndeshjet shpeshherë ndërpreheshin nga policët serbë dhe lojtarët arrestoheshin ose rriheshin dhe klubet largoheshin me dhunë nga stadiumet.

Futbolli mbijetoi në baltë dhe marshe. Lojtarët ndiqeshin dhe sulmoheshin nga policia serbe dhe vullnetarë të armatosur dhe tifozët që s’arrinin të iknin përjetonin turpërim ritual nga policët.

“Kjo ishte një kohë kur njerëzit largoheshin me dhunë nga shtëpitë e tyre, njerëzit zhdukeshin brenda natës nganjëherë. Ne i dëgjonim këto histori të tmerrshme – ky dhe ky u rrah dhe tani s’po gjendet askund”, tha Edmund Rugova, ish-sulmues i Prishtinës.

“Unë e kisha parë një bashkëlojtar timin teksa e merrnin nga ndeshja, përderisa ai e kishte të veshur fanellën e Prishtinës. Ne pritëm tri orë derisa ai u lirua nga stacioni policor. Fytyra e tij ishte e rrahur dhe e mavijosur”.

Edhe sot, statusi i Kosovës po sjell probleme.  Të shtunën, tetë tifozë çekë u arrestuan në Prishtinë pasi që synonin ta fluturonin një fron mbi stadiumin Fadil Vokrri, me një pankartë ku shkruhej “Kosova është Serbi”, gjatë ndeshjes kundër Çekisë.

Por, Kosova e ka dëshmuar se është këtu për të qëndruar. Çfarëdo që të ndodhë kundër Anglisë, ata e kanë shkruar njërin ndër kapitujt më të mëdhenj të historisë së tyre. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart