Nga e martja parashihet të vaksinohen 500 mijë persona në muaj, por a ka Kosova mjaftueshëm vaksina? - Gazeta Express
string(98) "nga-e-martja-parashihet-te-vaksinohen-500-mije-persona-ne-muaj-por-a-ka-kosova-mjaftueshem-vaksina"

Nga e martja parashihet të vaksinohen 500 mijë persona në muaj, por a ka Kosova mjaftueshëm vaksina?

Lajme

Arbresha Berisha

13/06/2021 16:33

Nga 15 qershori pritet të fillojë vaksinimi masiv kundër COVID-19 në Kosovë. Plani i Veprimit për Vaksinimin e Qytetarëve në Masë, parasheh që deri në 500 mijë qytetarë të vaksinohen në muaj, ndonëse vendi (Sipas raportimeve të furnizimit nga Ministria e Shëndetësisë), aktualisht ka në dispozicion më pak se 100 mijë vaksina, raporton Gazeta Express.

Ministria e Shëndetësisë e institucionet publike shëndetësore në vend kanë filluar përgatitjet për vaksinimin masiv i cili pritet të filloj nga 15 qershori i këtij viti.

Lexo Edhe:

Planin e Veprimit për Vaksinimin e Qytetarëve në Masë parashihet që deri në 500 mijë persona të vaksinohen në muaj.

Megjithatë, vendi aktualisht nuk ka aq vaksina në dispozicion.

Në Kosovë deri tani janë vaksinuar 98 mijë e 277 persona, derisa vendi ka në dispozicion momentalisht edhe më pak se 100 mijë doza të vaksinës.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se ata kanë paraparë fillimin e vaksinimit në masë më 15 qershor dhe se në Planin e Vaksinimit në Masë jepen detaje për resurset humane, hapësirat e reja për vaksinim, dinamikën e aspektet logjistike.

Ndërsa, Express ka mësuar se Ministria e Shëndetësisë pritet që për 6 muaj, nga 15 qershori, të angazhojë rreth 570 specializantë për vaksinimin e qytetarëve kundër virusit SARS CoV-2. Komuna e Prishtinës prin me numrin më të madh të specializanteve, me gjithsej 63.

Komunat fillojnë përgatitjet

Derisa kanë mbetur 2 ditë deri në fillimin e vaksinimit në masë, institucionet publike shëndetësore kanë filluar me zgjerimin e kapaciteteve, ndonëse nuk dinë se me sa doza të vaksinave do të furnizohen nga 15 qershori.

Përveç shtimit të stafit, ato tashmë kanë filluar të përgatisin edhe hapësira të reja.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili, ka thënë për Express se janë duke bërë përgatitjet për vaksinim dhe se nga 15 qershori kanë kapacitete që të vaksinojnë deri në 1 mijë persona në ditë.

Ai ka thënë se kanë në dispozicion 10 ekipe me profesionistë shëndetësorë që do të merren me vaksinim.

“Ne kemi bërë përgatitjet dhe tashmë kemi 10 ekipe të gatshme që do të punojnë me vaksinim. Me 10 ekipe do t’i vaksinojmë 1 mijë qytetarë pa problem. Tani vaksinohen deri në 250 persona në ditë”, ka deklaruar ai.

Xhemaili ka theksuar se janë furnizuar me 4 mijë e 600 doza të vaksinave, por që nuk kanë informacione se me sa doza do të furnizohen që nga 15 qershori.

Ndërsa, edhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri, ka thënë për Express se kanë filluar përgatitjet për vaksinimin masiv.

Ajo është shprehur se kanë planifikuar që nga 15 qershori të kryejnë deri në 600 vaksinime në ditë, gati 3 herë më shumë se që kryhen tani.

“Ne jemi duke bërë përgatitjet. Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë do të angazhohen disa specializantë për vaksinim. Ne nuk kemi informata me sa vaksina do të furnizohemi por që kemi planifikuar që të kryejmë 500 deri në 600 vaksinime në ditë”, ka thënë ajo.

Ymeri ka deklaruar tutje se nga 15 qershori do t’i kenë 16 ekipe të vaksinimit, 8 para dite dhe 8 pas dite.

Përveç komunës së Ferizajt dhe asaj të Gjilanit, edhe nga komuna e Pejës kanë thënë për Express se janë në përgatitje intensive për fillimin e vaksinimit në masë.

Edhe komunat tjera kanë filluar të zgjerojnë kapacitetet për vaksinimin në masë, ndonëse nuk janë të informuara se me sa vaksina do të furnizohen.

Ndërsa, në rast se vendi nuk furnizohet me vaksina shtesë gjatë këtij muaji, 500 mijë qytetarë nuk do të mund të vaksinohen në muaj, përkundër përgatitjeve të bëra./GazetaExpress/