Neymar: Kujtimi im më i mirë është rrahja e PSG-së me Barcelonën


Gazeta Express
14 Korrik 2019 10:04

Neymar i ka rritur edhe më shumë tensionet me klubin e vet, Paris Saint-Germainin, pasi ka deklaruar se rikthimi klasik i Barcelonës pikërisht kundër PSG-së në sezonin 2016/17 të Ligës së Kampionëve, është mbase kujtimi më i mirë i tij.

Sulmuesi brazilian i ka prishur marrëdhëniet me drejtuesit e klubit francez, pasi thuhet se po përpiqet ta sigurojë kthimin te klubi i vjetër, Barcelona, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër, drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo ka konfirmuar se Neymar mund të largohet nëse ndonjë klub është i gatshëm ta paguajë çmimin që i është caktuar atij.

Neymar iu bashkua PSG-së nga Barça për një shumë rekord botëror, 222 milionë euro në gusht të vitit 2017, pesë muaj pasi kishte luajtur rol kyç në triumfin madhështor të Barçës që e kishte eliminuar klubin parisien nga 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.

PSG-ja e kishte fituar 4:0 ndeshjen e parë në shtëpi, por Barça e tronditi atë në Camp Nou duke fituar 6:1. Neymar shënoi dy nga gjashtë golat e Barçës, si dhe asistoi te goli i triumfit.

Duke folur në turneun e futbollit të vogël të Red Bull Neymar Jr, Neymar rrezikoi edhe më shumë t’i rrisë tensionet me klubin me deklaratën e tij.

“Kujtimi im më i mirë si futbollist? Janë dy kujtime, e para triumfi në Lojërat Olimpike me Brazilin dhe e dyta, ‘remontada’ kundër Parisit. Ajo çfarë ndiem ne kur e shënuam golin e gjashtë… kurrë nuk kisha ndier diçka të tillë. ishte e jashtëzakonshme”, tha Neymar Oh My Goal. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart