Nesër kryhet rinumërimi i 530 vendvotimeve – pastaj numërohen votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta


load
Gazeta Express
22 Tetor 2019 16:18

Procesi i rinumërimit të votave po shkon drejt fundit. Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, tash kanë mbetur vetëm edhe 100 vendvotime pa u rinumëruar. Pas përfundimit të rinumërimit, pritet të fillojë procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, raporton Express.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi i ka thënë Gazetës Express se deri sot në ora 16:00 janë rinumëruar 430 vendvotime.

Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve pritet të përfundojë nesër, derisa po këtë ditë do të fillojë procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

“Deri në orën 16 të ditës së martë janë rinumëruar 430 vendvotime apo 81.29% e 530 vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja që të rinumërohen”, ka thënë Elezi për Express.

Ndryshe, zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

Bazuar në rezultatin e deritashëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Pas VV’së, me numër më të madh të votave renditen Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim.

Presidenti i Kosovës, pas shpërbërjes së Kuvendit në gusht, shpalli zgjedhjet për datën 6 tetor./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart