Nëse zhduken bletët, zhdukemi edhe ne bashkë me to


Gazeta Express
29 Korrik 2019 15:37

Albert Ajnshtajn ka thënë se kur të zhduken bletët, njerëzimit do t’i vijë fundi katër vjet më pas.

Dhe është pikërisht ky fakt që ka trembur studiuesit, pasi bletët janë me të vërtetë duke u zhdukur. Bletët jo vetëm që ngjizin lulet dhe prodhojnë mjaltë, por janë edhe pikënisja e një sërë ushqimesh për njerëzit.

Nëse ato zhduken, me shumë mundësi që edhe shëndeti i njerëzve mund të jetë në rrezik. Cilët janë faktorët që çojnë drejt zhdukjes së këtyre insekteve? Janë të shumtë, mes së cilëve sëmundjet e ndryshme, ndotja e ambientit, ndryshimet e shpejta dhe të frikshme të klimës, zhdukja e disa bimëve etj.

Në shumë vende të botës po nis një fushatë e madhe për mbrojtjen e bletëve dhe shmangies së rrezikut të zhdukjes së tyre. Kjo metodë e re e mbrojtjes dhe kontrollit të tyre, ka përfshirë edhe disa shtete në Europë.

Viti që lamë pas ishte një vit jo i mbarë, pasi në bazë të të dhënave dhe regjistrimeve të bëra, jo vetëm që numri i tyre është ulur, por edhe të dhënat nga shitja e mjaltit tregojnë se prodhimi i këtij viti ka qenë më i pakët.

Në shumë zona të botës, bletët po zhduken, ku më alarmante është Kina. Në Kinë është bërë e vështirë që në mija kilometra natyrë të gjesh bletë, gjë që ka ngritur shqetësime të mëdha rreth të ardhmes së tyre, transmeton Gazeta Express.

Bletët janë burimi më i rëndësishëm i jetës në Tokë. Falë tyre bimësia dhe njerëzimi merr jetë. Për zhdukjen e bletëve, dikush ia hedh fajin klimës, dikush tjetër valëve të antenave telefonike, valëve televizive apo satelitëve që janë dyndur gjithandej. Të tjerët besojnë në fundin apokaliptik të kohërave, profeci të cilat janë shkruar shumë kohë më parë.

Te fundit


Kthehu lart