Nëse ka ndonjë imigrant që ka dështuar të integrohet në Amerikë, ai është Donald Trump


Gazeta Express
15 Korrik 2019 10:40

Njerëzit si Trumpi i urrejnë aq shumë liritë tona, saqë dëshirojnë të na kthejnë në një lloj diktature, njësoj siç e kishin dikur në vendin e tyre.

Richard Wolffe

Pse e urren Donald Trumpi kaq shumë Amerikën? Çfarë e bën këtë gjermano-amerikan të mendojë se mund t’iu tregojë qytetarëve vendës çfarë të flasin dhe si të sillen?

“Shumë interesante të shohësh kongresiste “progresive” demokrate, të cilat janë me origjinë nga vendet me qeveri që janë katastrofë e plotë dhe totale, më të këqijat, më të korruptuarat dhe më të ngathëtat në botë (nëse veç kanë qeveri funksionale), se si iu tregojnë zëshëm qytetarëve të Shteteve të Bashkuara, shtetit më madhështor dhe më të fuqishëm në botë, si duhet të udhëhiqet qeveria”, shkroi Trumpi në Twitter.

Ai tingëlloi sikur sapo e ka vërejtur fenomenin e Kongresit për t’i treguar qeverisë se si të sillet. Të shpresojmë që ai nuk di për “Tea Party”.

Është e vërtetë që një nga gratë “progresiste”, së cilës i është referuar ai, është qytetare amerikane e lindur në Somali. Tucker Carlson e mediumit “Fox News” e ka vërejtur të njëjtën shenjë për anëtaren e Kongresit që ka guxuar ta kritikojë administratën amerikane.

Por tri anëtarët tjera janë lindur në këtë vend, ku fatkeqësisht qeveria është vërtet “katastrofë e plotë dhe totale”.

Për fat të keq, Trumpi ka të drejtë kur thotë se qeveritë e tyre janë “më të këqijat, më të korruptuarat dhe më të ngathëtat në botë (nëse veç kanë qeveri funksionale)”.

Sepse është qeveria e tij dhe vështirë të thuhet se ajo funksionon. Të gjithë në Uashington – veçanërisht ambasadori i gjorë britanik – e kanë thënë një gjë të tillë.

“Pse nuk kthehen dhe të ofrojnë ndihmë në rregullimin e vendeve të thyera nga krimi, në vendet prej nga kanë ardhur. Pastaj të vijnë e të na tregojnë se kjo punë është kryer”, shkroi Trumpi të dielën në Twitter, duke iu referuar një grupi të anëtarëve amerikane të Kongresit, përfshirë edhe ato që janë lindur në Bronx, Detroit dhe Cincinnati.

Ky është problem me familjet imigruese si Trump-ët. Ato nuk kanë respekt për traditat tona dhe përfaqësuesit tanë të zgjedhur.

Ata i urrejnë aq shumë liritë tona, saqë duan të na kthejnë në një lloj diktature evropiane, siç e kishin dikur në vendet e tyre. Kur ata flasin për kushtetutën tonë, tingëllojnë sikur nuk e kanë lexuar versionin e “Cliff’s Notes”.

Të premten, Trumpi tha se është imun nga e tërë çështja e ndikimit rus, sepse prokurori i tij tha se ai nuk e ka thyer ligjin. Kjo sigurisht është ajo që këta imigrantë mendojnë për funksionimin e ligjit në vendet nga kanë ardhur.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart