Nëse ankthi dhe stresi do të visheshin, si do të dukeshin - Gazeta Express
string(56) "nese-ankthi-dhe-stresi-do-te-visheshin-si-do-te-dukeshin"

Nëse ankthi dhe stresi do të visheshin, si do të dukeshin

Arte

Valona Hasani

12/08/2022 15:55

Kostumi që është përdorur në këtë kukull, shihet si një çarçaf i bërë rrëmujë fillimisht pastaj i futur në gjoks. Fiks sikur ndjenjat e njeriut, të bëra lëmsh, që qëndrojnë aty duke të shtrënguar në gjoks

Nga Valona Hasani

Lexo Edhe:

Hana Zeqa (1988, RKS) është tërhequr gjithmonë nga ideja se si mund të rrëfejmë tregime të ndryshme përmes veshjeve. Përmes punës së saj, Zeqa i pozicionon veshjet si formë komunikimi dhe manifestimi: një mënyrë për të ndërfutur gjithçka prej kërcimit, historisë, psikologjisë, emocioneve dhe dramës në një kontekst vizual.

Zeqa tërhiqet nga ana jokonvencionale të dizajnit. Duke i shtuar teknologjinë si aksesor, ajo e zgjeron mundësinë e të kthyerit të objektit si një mundësi për të shprehur një funksion, transformim dhe ndërveprim. Veçanërisht ajo është e interesuar në transformimin që imiton proceset e brendshme organike. Përmes punës së saj ajo frymëzon një analizë më të thellë dhe introspektive për të shqyrtuar ndjesitë, eksperiencat dhe rrethanat. Kjo e aktivizon aksesorët e saj  të ‘flasin’ më vete dhe të jenë të qasshme jo vetëm si objekte. (Nga katalogu i Manifestës)

Njerëzit përmes veshjeve flasin edhe pa nxjerrë zë. Gjendja e brendshme hedhet në sipërfaqe përmes rrobave.

Traditat e shqiptarëve që mbajnë zi pas vdekjes së një personi të afërt i tregojnë veshjet e errëta. Ose kështu ka vazhduar dikur, ndoshta jo te të gjithë, po ka ndodhur gjithsesi.

Përmes veshjeve shpërfaqet gjendja emocionale në videon gati 2 minutash, me titullin Organic: Extimorph, të realizuar nga Hana Zeqa.

Hana përveç kësaj, kishte përgatitur edhe një kukull të veshur, me diçka ndryshe, nga ajo (s)mund që të vishej një person i zakonshëm. Ndoshta mund të jetë vetëm paragjykim.

Veshja që kishte përdorur cilësohej sikur ndjenjat të kishin veshur rroba. Në këtë rast sikur ankthi dhe stresi do te ishin njerëz do të visheshin sikur kukulla e Hanës.

Hana kishte përdorur sensorë motorikë për t’i hetuar hipotetikisht stimujt e stresit në pjesë të ndryshme të trupit, kostumi i saj përqendrohej te gjoksi-selia e frikës.

Pra, kostumi që është përdorur në këtë kukull, shihet si një çarçaf i bërë rrëmujë fillimisht pastaj i futur në gjoks. Fiks sikur ndjenjat e njeriut, të bëra lëmsh, që qëndrojnë aty duke të shtrënguar në gjoks.

Ankthi, stresi, dhimbja, dhe të gjitha ndjenjat duke i përfshirë edhe ato të përzierat ndonjëherë (shpresën dhe keqardhjen) të ngulfatin.

Ngulfatja fillon me shtrëngim në gjoks dhe të duket sikur ajo dëshiron të dalë nga goja, por jo si tingull. Sikur një çlirim, që nuk shihet, por nxjerrë dhimbje, dhimbje çliruese.

Teoria Psikoanalitike e kostumit, gjendja e katarsisit

Ajo që duket më interesante ne këtë kostum, shfaqet vizualisht një kafaz kraharori që zgjerohet e mblidhet dhe një zemër që rreh shpejt, veshja stimulon lirimin, bashkë ndarjen dhe shuarjen e emocionit. Ata që e veshin shpërfaqin vullnetarisht dobësinë vetjake si një gjendje katarsisi, të shërimit të njerëzores.

Hana e përdori edhe teorinë e psikoanalitike. Me anë të kësaj tregoi për çlirimin emocional.

Në teorinë psikoanalitike, çlirim emocional i referohet “spastrimit” të konflikteve të pavetëdijshme.

/Gazeta Express