Nëntë vjet burg për të miturin që kreu vrasjen për hakmarrje në pikë të ditës në Ferizaj


load
Gazeta Express
14 Qershor 2019 14:36

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të miturit Sh. R. në kohëzgjatje prej nëntë (9) vjet burgim.

Gazeta Express, një ditë pas vrasjes, ka raportuar për rastin në fjalë, kur 17-vjeçari, Shqiprim Rexha, e qëlloi me tre plumba Mentor Aliun në qytet, para shumë qytetarëve e në pikë të ditës.

Express në shkurt ka raportuar se vrasja pas shpine në Ferizaj ka ndodhur për shkaqe të hakmarrjes.

E Gjykata e Gjilanit sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të miturit, Shqiprim Rexha.

I miturit, me datë 20.02.2019, rreth orës 22:30 minuta në rrugën “Ahmet Kaqiku” në Ferizaj, përkatësisht afër stacionit të autobusëve, për motive të ulëta, nga hakmarrja e paskrupullt, me dashje direkte dhe në mënyrë dinake e ka privuar nga jeta tani të ndjerin M. A., duke e qëlluar me revole një herë në kokë dhe dy herë në shpinë.

Me këto veprime, i mituri ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës (KPRK).

Pas pranimit të fajësisë nga i mituri, trupi gjykues i Departamentit për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues, me nëntë vjet burgim, gjithashtu të miturit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Një vrasje kishte ndodhur në mes të këtyre dy familjeve në vitin 2016.

Atëherë, Meriton Aliu, 20 vjeç, e kishte qëlluar me armë zjarri Samir Rexhën, 19 vjeç, dhe e kishte lënë të vdekur. Dje ndodhi njëjtë, këtë herë ishte vëllai i Samirit ai që mori hak ndaj familjes Aliu.

17-vjeçari, Shqiprim Rexha, do ta shihte në qytet Mentor Aliun dhe aty do ta qëllonte me tre plumba, para shumë qytetarëve e në pikë të ditës, e 25-vjeçari do të ndërronte jetë në vend të ngjarjes.

  • Si kishte nisur historia Aliu-Rexha që përfundoi me dy vrasje?

Më 18 gusht të vitit 2016’të, rreth orës 18:00, në një banesë kolektive në rrugën “Rexhep Selimi”, Meriton Aliu, pas një përleshje që kishte pasur me Samir Rexhën do ta qëllonte atë me dy plumba, e i njëjti do të ndërronte jetë në vend të ngjarjes.

Në aktgjykimin të cilin e ka siguruar Express, thuhet se të dy këta ishin takuar atë ditë për të biseduar lidhur me një mosmarrëveshje që e kishin pasur më herët. Meritoni kishte pranuar para gjykatës se kishte kryer vrasjen, me arsyetimin se e kishte bërë këtë gjë për vetëmbrojtje, pasi që kishte një kohë që po kërcënohej nga Samiri dhe atë ditë ishte i pari që kishte kërcënuar me armë.

Para gjykatës i njëjti kishte thënë se Samiri po i thoshte “a mendon që nuk të nxa, apo ke mëndu se nuk të zateti kurrë, gjatë kohës kur të dy po futeshin në banesën kolektive, e duke i përsëritur se nuk kishte frikë të shkrepte armën”.

Të dy këta njiheshin që nga shkolla fillore, e vetëm kohëve të fundit kishin pasur probleme të tilla, e atëherë kishin filluar edhe kërcënimet e Samirit për vrasje.

Meriton Aliu ishte dënuar me 16 vite burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj për vrasje dhe armëmbajtje pa leje./Express

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart