Nënkryetari tjetër i PDK’së, dikur zëvendës i Thaçit, del kundër Presidentit për prekjen e kufijve


Gazeta Express
17 Mars 2019 20:41

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë kritikën e radhës për planin e tij për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqe mes dy vendeve.

Njeriu që dikur ishte zëvendës i tij në kohën kur Thaçi udhëhiqte Partinë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, ka paralajmëruar kundër prekjes së kufijve të vendit.

Bajrami, i cili aktualisht është nënkryetar i PDK’së, por edhe profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të sponsorizohej nga Bashkimi Evropian, i cili është lehtësues i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Por, sipas tij, marrë parasysh që Organizata e Kombeve të Bashkuara është e përfshirë në çështjen e Kosovës, përmes Rezolutës 1244, me të cilën e ka mandatuar administrimin ndërkombëtar, për Kosovën, siç thotë ai, do të ishte me interes që marrëveshja eventuale me Serbinë, të pranohej nga Këshilli i Sigurimit.

“Kjo marrëveshje duhet edhe formalisht ta shfuqizojë tërësisht Rezolutën 12 44 dhe duhet të zëvendësohet me një rezolutë tjetër, e cila do t’i hapë rrugë anëtarësimit brenda OKB-së. Në një mënyrë, me këtë rezolutë do t’i jepej fund administrimit ndërkombëtar, i cili është përcaktuar me Rezolutën 12 44 dhe do të bëhej një lloj njohje e pavarësisë së Kosovës nga ana e shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Me këtë hapet rruga që përmes një rezolute të re të trasohet rruga e anëtarësimit të plotë të Kosovës brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se rikthimi i çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në formën e një marrëveshjeje që do të arrihej të formalizohej, nuk e rrezikon shtetësinë e Kosovës, e cila është ndërtuar pas shpalljes së pavarësisë së vendit, më 17 shkurt 2008.

Bajrami shpreh mendimin që në radhë të parë përgjegjësinë për mbrojtjen e shtetësisë së vendit do ta kenë institucionet e Kosovës në tavolinën e negociatave me Serbinë. Sipas tij, ato duhet të jenë të kujdesshme që të mos e pranojnë asnjë marrëveshje të re ndërkombëtare me Serbinë, që do ta cenonte shtetësinë dhe pavarësinë e vendit.

“Marrëveshja, e cila do të nënshkruhet në Bruksel, ajo duhet ta mbrojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Nëse një marrëveshje e tillë, e cila në tërësi nuk i cenon interesat e Kosovës, do të marrë edhe dritën e gjelbër në Këshillin e Sigurimit, kjo Kosovës do t’i krijonte favore, sepse do t’ia mundësonte anëtarësimin e plotë në OKB”.

“Natyrisht që do të ishte shumë e dëmshme, në qoftë se në Këshillin e Sigurimit hapet debati për marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe aty dizajnohet marrëveshja. Por, në qoftë se në këtë rast Këshillit të Sigurimit vetëm ratifikon marrëveshjen që palët e arrijnë në formatin e Bashkimit Evropian, atëherë Kosova nuk ka asnjë rrezik që mund t’i cenojë interesat veta”, vlerëson Bajrami.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart