Nënkryetari i Guxo po e pret Vjosa Osmanin: Gërvalla e Peci devijuan, të bashkohemi me LDK-në - Gazeta Express
string(91) "nenkryetari-i-guxo-po-e-pret-vjosa-osmanin-gervalla-e-peci-devijuan-te-bashkohemi-me-ldk-ne"

Lajme

Gazeta Express

12/03/2026 13:12

Nënkryetari i Guxo po e pret Vjosa Osmanin: Gërvalla e Peci devijuan, të bashkohemi me LDK-në

Lajme

Gazeta Express

12/03/2026 13:12

Mes dorëheqjesh nga Guxo, nënkryetari i kësaj partie po e pret Vjosa Osmanin për të lëvizur. Burim Meta mendon se zgjedhja e duhur do të ishte që t’i bashkoheshin LDK-së, duke u larguar nga Donika Gërvalla dhe Faton Peci, për të cilët thotë se “kanë devijuar nga kauza”.

Gazeta Express

Ndërkohë që kanë nisur dorëheqjet nga partia që Vjosa Osmani e kishte themeluar para se të bëhej presidente, nënkryetari i Guxo, Burim Meta, qëndron.

Ai i tha Gazetës Express se po pret përfundimin e mandatit të Presidentes për t’i koordinuar veprimet e mëpasshme, por tregoi se vetë është i mendimit se duhet t’i bashkohen Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bashkëkryetarët e Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, nuk i janë ndarë partisë së kryeministrit Albin Kurti dhe tashmë vazhdimisht marrin pjesë në zgjedhje nën logon e Lëvizjes Vetëvendosje. Ata kanë heshtur kur kjo parti vendosi që të mos e mbështeste Osmanin edhe për një mandat si presidente.

Kjo gjë “i është premtuar” Osmanit, thotë Meta, i cili e konsideron gabim të madh mosrizgjedhjen e saj.

“Ka qenë gabim i madh. Gabim i madh. Fillimisht i është premtuar që Vjosa do të jetë e vetmja kandidate edhe e propozuar por edhe që mbështetet nga Vetëvendosja. Më pastaj gjatë rrugëtimit ndryshuan mendim dhe gabuan dhe tashmë natyrisht që akti i vetëm i ardhshëm që e pret skenën politike janë zgjedhjet tjera që do të mbahen, natyrisht, pas vendimit që do ta marrë Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

Meta thotë se Osmani është “i vetmi person që e ka prezantu në skenën ndërkombëtare, por edhe në unitetin vendor shtetin e Kosovës”.

“Dhe në këto kriza botërore, duke e parë afërsinë e Presidentes me Presidentin e botës – jo Presidentin e SHBA-së, por Presidentin e botës – Donald Trump, natyrisht që interes i Kosovës ka qenë që presidente me qenë Vjosa Osmani”, tha ai.

Meta thotë se Gërvalla dhe Peci “kanë devijuar nga kauza” mbi të cilën thotë se ishte krijuar ky subjekt politik, por edhe nga qëndrimet e anëtarëve.

“Zonja Gërvalla dhe zoti Peci janë dy personat të cilët janë më së paku autoritativë në partinë Guxo. Ata vetëm i mbajnë ato pozita të kryetarëve, por e tërë struktura, e tërë anëtarësia e Guxo nuk përkon me veprimet e këtyre dy personave. Kështu që, Guxo natyrisht, do të duhej të kishte dinamikë krejt tjetër ideologjike nga ajo që e kanë propagandu ata”, tha ai.

Dorëheqjet në Guxo

Deputeti i disa legjislaturave, Haxhi Avdyli, para pak ditësh dha dorëheqje nga Guxo në shenjë proteste ndaj sulmeve që po i bëhen Vjosa Osmanit, pas dekretit të presidentes për ta shpërndarë Kuvendin, vendim të cilin LVV-ja e konsideroi “shkelje të rëndë të rendit kushtetues”.

Kryetarja e degës së Guxo në Deçan, Rabije Haklaj, njoftoi sot se ka dhënë dorëheqje nga kjo parti, “në unanimitet të plotë me Kryesinë”.

Ish-deputeti Meta i arsyeton dorëheqjet, por thotë se do të duhej që anëtarësia t’ua merrte partinë dy bashkëkryetarëve, të cilët i akuzon se kanë implementuar një frymë “neo-komuniste”.

“Bashkëkryetarët kanë devijuar nga kauza mbi të cilën është krijuar Guxo, dhe këtë unë e kam thënë para tre vjetësh. Këta e kanë thënë pak me vonesë. Shumë me vonesë. Është dashur shumë më heret, që t’u merret partia këtyre dy personave, e jo të shkojmë nëpër dorëheqje të tilla”, tha ai.

“Por megjithatë janë vendime personale, individuale. Tash me të drejtë e bëjnë sepse nuk mund të vazhdojnë aty për shkak se fryma të cilën e kanë implementuar këta dy bashkëkryetarë brenda Guxo është shumë neo-komuniste dhe natyrisht që nuk ka hapësirë për të vepruar, për të funksionuar”, shtoi Meta.

Ai thotë se Peci dhe Gërvalla “i mbajnë pozitat e tyre me disa falangistë, vartës të tyre që janë të pakonsoliduar dhe ashtu veprojnë”.

Për Metën, “është e pamundur në skenën politike bashkëjetesa me këta dy persona”.

“Më së paku Kosova ka nevojë për dy personalitete të tilla që merren me aktivitete politike”, tha ai.

“Të bashkohemi me LDK-në”

Burim Meta thotë se Vjosa Osmani do t’i kthehet garës politike. Ai tha se “është e rëndësishme shumë që Presidentja tashmë e ka pa nevojën që Kosova ka për të dhe do t’i kthehet skenës politike, do të merret me politika partiake”.

Sipas tij, më së miri do të ishte që ata t’i bashkoheshin LDK-së.

“Nëse mund ta shpreh mendimin tim, është natyrisht që të bashkohemi me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Është mendim i imi personal të cilin nuk e kam diskutuar me Vjosën. Por, e rëndësishme, mbi të gjitha, kryefjala është që, po, Vjosa do të merret me politika partiake”, tha ai.

Vetë Osmani tha të hënën se do ta bëjë “një vlerësim” pasi ta përfundojë mandatin si presidente, duke mos e përjashtuar opsionin e kthimit në LDK.

“Do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme”, tha ajo në një intervistë në Syri TV.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tashmë i ka hapur dyert për kthimin e Vjosa Osmanit.

“Do të ulemi, do të diskutojmë. LDK-ja i hap dyert, krahët dhe zemrën për të gjithë ata që besojnë dhe janë të ngopur me gjendjen e aktuale, me problemet e vazhdueshme, me dramat e pandërprera, që janë institucionalistë, që e respektojnë racionalen kushtetuese, që e duan pragmatizmin politik, që kanë ide zhvillimore për vendin, të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi. Dhe në këtë mision, natyrisht se zonja Osmani, Vjosa, ka vendin e vet të padiskutueshëm”, tha ai mbrëmë në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova.

Advertisement
Advertisement
Advertisement