Nëna e dy djemve të vrarë në Pejë: Shteti duhet të veprojë e jo të tregojë përralla


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 15:11

Të premten, në Gjykatën Themelore në Pejë, ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë në fshatin Kosuriq të Pejës, Binak Panxha.

Ai akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes të rëndë ndaj vëllezërve Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha, më 21 korrik të vitit 2017, në pyllin e fshatit Kosuriq të Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë seancës të së enjtes, derisa vëllai i të akuzuarit Panxha, Valon Panxha, ishte duke dëshmuar, nëna e tani dy të ndjerëve, Shake Berisha, në vend të parashtrimit të pyetjeve, ka thënë se edhe ky dëshmitar do të duhej të ishte i akuzuar.

“Çka i kanë pasur borxh djemtë e mijë. Agronin duhet me çu në çerdhe tek fëmijët. Shteti duhet me vepru, jo me kallxu përralla”, ka thënë ajo.

Ndryshe, në dëshminë e tij, Valon Panxha, ka thënë se më 21 dhe 22 korrik të vitit 2017, vëllai i tij, Binak Panxha, kishte qenë me të.

“Me 21 dhe 22 Korrik unë kam qenë së bashku me vëllain tim, Binak Panxha në fshatin Kosuriq në shtëpinë tonë. Në kemi filluar të qëndrojmë në oborr të shtëpisë dhe kemi konsumuar birra dhe raki. Në oborr kemi qëndruar deri në orët e mbrëmjes, mirëpo orën nuk e di”, ka thënë Valon Panxha.

Pas qëndrimin deri në orët e mbrëmjes në shtëpinë në fshatin Kusoriq, ai ka thënë se së bashku me vëllain e tij, kishin shkuar në Pejë, tek vëllai tjetër, Isa Panxha, pasi sipas tij, ai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore .

“Ne kemi shkuar të Isa me veturën time “Golf 6”, ngjyrë të zezë. Atë natë kemi flejt te Isa edhe aty kemi pirë disa birra”, ka thënë dëshmitari Panxha.

Në mëngjesin se nesërm, sipas tij, së bashku Binak Panxhën, kishin shkuar në kafenenë “Tiki”, siç ka thënë ai, vëllai i tij, Isa Panxha u ishte bashkuar më pas, konkretisht pas kontrollit mjekësor.

Pas pretendimeve të dëshmitarit Valon Panxha, se tani i akuzuari kishte qëndruar me të te vëllai tjetër i tyre, prokurori Agron Galani, e ka ballafaquar atë me listën e thirrjeve nga numri i telefonit të të pandehurit Binak Panxha, nga të cilat, sipas prokurorit rezultonin se  telefoni i tij kishte pasur qasje në antenën e Vranocit dhe Kusoriqit.

Mirëpo, për këtë ballafaqim, dëshmitari Panxha, ka thënë se nuk kishte shpjegim, duke shtuar se “vetëm e di se unë kam qenë me të“.

Ai ka thënë se nuk e din nëse në mëngjes përmes telefonit e kishte thirr Binak Panxha, vëllain tjetër të tyre, Isa Panxha, përveç rastit kur sipas tij, Isën e kishte thirr fabrika e tij, ku kishte punuar.

Ndërsa, prokurori Galani e ka ballafaquar atë edhe më listën e telefonatave kur të pandehurin Binak Panxha, në mëngjesin e 22 korrikut të vitit 2017, e kishte telefonuar dhe biseduar me vëllain e tij, Isa Panxha, dhe atë katër herë.

Lidhur më këtë, prokurori ka kërkuar nga dëshmitari të shpjegonte se si Binak Panxha, ka biseduar me telefon me vëllain e tij, Isa Panxha, përderisa sipas dëshmitarit ata kanë qenë tërë kohën bashkë.

“Nuk e di”, është përgjigjur dëshmitari Valon Panxha.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Binak Panxha, avokati Osman Cucoviq, se a i kishte parë ai klientit të tij telefon në duar, i cili është përgjigjur se në natën kur kishte qenë te Isa Panxha, nuk e kishte parë që Binak Panxha, të ketë pasur telefon në duar.

Dëshmitari Valon Panxha, ka thënë se nuk e dinte se për çfarë vepre kishte qëndruar në paraburgim dhe se nuk e dinte se cilin e kishte pasur avokat.

Anëtarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, ka kërkuar përsëri nga dëshmitari të sqaronte ngjarjen, gjegjësisht mëngjesin tek shtëpia e vëllait të tij, Isa Panxha, me vëllain tjetër, Binak Panxha, tani të akuzuarin.

Mirëpo, kur një gjë e tillë dëshmitarit i është kërkuar që ta përsëriste ngjarjen, ai ka insistuar se ishte përgjigjur në këtë pyetje më herët.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, ia ka tërhequr vërejtjen dëshmitarit për shkak se sipas tij, ai ishte jo serioz në dëshminë e tij.

Në këtë seancë, me pëlqimin e palëve në procedurë, gjykatësi Sharraxhiu ka marr vendim që provat materiale të konsiderohen të lexuara.

Seanca e radhës është caktuar më 22 nëntor 2019, në ora 10, në të cilin seancë do të jep mbrojtjen  i pandehuri Binak Panxha.

Ndryshe, në seancën fillestare të 17 gushtit 2018, Binak Panxha ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Binak Panxha akuzohet se më 21 korrik 2017, rreth orës 21:30, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të pandehurit.

Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drurë në pyllin e të pandehurit.

“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirr tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.

Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes. 

Te fundit


Kthehu lart