Negociatat "universitare" të Kurtit e Profës, çfarë i ofruan VV-ja e LDK-ja njëra-tjetrës - Gazeta Express
string(80) "negociatat-universitare-te-kurtit-e-profes-cfare-i-ofruan-vv-e-ldk-njera-tjetres"

Negociatat “universitare” të Kurtit e Profës, çfarë i ofruan VV-ja e LDK-ja njëra-tjetrës

Gazeta Express

27/01/2020 15:11

Unviersiteti Amerikan është një ambient i njohur për Albin Kurtin. Shefi i Vetëvendosjes aty ka mbajtur shpesh para studentëve ligjërata, por gati një dekadë më parë, më saktësisht në vitin 2011, në kulmin e armiqësive kishte takuar dy diplomatë amerikanë, Thomas Countryman-in e Departamentit të Shtetit dhe Christopher Dell-in ambasador në Kosovë. E ky universitet të premten është zgjedhur për negociata ndërmjet VV-së e LDK-së. Gazeta Express sjell detaje të takimit në këtë institucion.

Edhe pak ditë u kanë mbetur LV-së e LDK-së të merren vesh. Pavarësisht afatit kohor, Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk kanë treguar sinjale pozitive drejt marrëveshjes.

Lexo Edhe:

Lidhja Demokratike edhe në takimin e fundit ka kërkuar postin e kryeparlamentarit. LV-ja në anën tjetër si këmbim ua ka ofruar MPJ-në, ku i është thënë nga partneri në negociata se do të propozohet Vjosa Osmani.

Që nga e premtja nuk është mbajtur takim në mes të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa. Dy kryetarët, së bashku me ekipet kanë negociuar para vikendit, në një takim të gjatë që është mbajtur të premten por që s’ka rezultuar me marrëveshje.

Sot bëhen tre ditë prej kur partia e udhëhequr nga Albin Kurti e ka vënë në tavolinë të diskutimit një ofertë të re për LDK-në.

Aty bëhet e qartë se LV-ja nuk heq dorë nga pozita e kryeparlamentarit, mirëpo si kompensim për këtë ia japin Lidhjes Demokratike Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në parim, oferta nuk është pranuar në takimin e së premtes. LDK-ja ka insistuar në kreun e Kuvendit, duke e treguar edhe emrin e kryeparlamentarit të tyre.

Figura kyçe në Lidhjen Demokratike nuk po pajtohen që të nënshkruajnë marrëveshje me LV-në nëse si pjesë e pazarit nuk hyn pozita e kreut të Kuvendit, siç edhe u tha sot publikisht.

Një takim ku Lidhja Demokratike do të vendoste nëse pranon apo jo këtë ofertë ishte paraparë që të mbahej të shtunën. I njëjti ishte shtyrë për të dielën. Edhe takimi i të dielës është shtyrë për një ditë më vonë.

Dy partitë kanë konfirmuar për Gazetën Express se takimi i radhës do të mbahet sot.

Vetë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, tha sot para mediave se është dita vendimtare ku do të merren vesh për po ose jo.

“Po besoj që takim do të ketë, orën ende nuk e kemi caktuar. Po bëjmë përpjekje gjithmonë që të arrijmë marrëveshje, jam i përkushtuar për marrëveshje. Nuk ka kuptim që të vazhdohet ndryshe, po bëjmë përpjekje”, ka deklaruar sot Mustafa.

Albin Kurti në një paraqitje para mediave nga Prizreni u shpreh optimist kur u pyet për marrëveshjen.

“Se a do të arrijmë marrëveshje nuk e di, por jam optimist për arritjen e marrëveshjes”, deklaroi i pari i LV-së.

Nuk është bërë e ditur ende se si do të vendoset në Lidhjen Demokratike.

Sipas ndarjes së re, LDK-ja merr dukshëm më shumë ministri se LV-ja. Në rast se ndarja bëhet me ofertën ku përfshihen 14 ministri, atëherë LDK-së i shkojnë 7 ministri. Katër mbeten për LV-në dhe 3 për minoritetet.

Ndërkaq, nëse ndarja bëhet në mes të 12 ministrive, atëherë LDK-ja merr 6 ministri, 4 LV-ja dhe dy minoritetet. Kreu i Kuvendit i mbetet LV-së, ndërsa zëvendëskryeministri i parë LDK-së. /GazetaExpress/