Në tokën e kaosit


Berat Buzhala
2 Prill 2019 20:17

Deri me 12 prill çdo gjë është e mundur: Britania e Madhe mund të dalë nga Bashkimi Evropian me marrëveshje, mund të dalë pa marrëveshje, mund ta anulojë daljen, mundet edhe ta shtyjë daljen. Ky shtet historikisht ka qenë model për të gjithë botën. Prapë është model, por për arsye tjera

Kosova mund, dhe duhet, të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk e gëzon të drejtën për ta gjykuar për asgjë askënd. Aq më pak Mbretërinë e Bashkuar (Këtij shteti për arsye praktike në të tri vazhdimet do t’i referohem si Britani, ose Britania e Madhe). Aventurat e doktor Palit, që ishin si after – party e punësimeve karamuratçe në institucionet publike, janë të pakrahasueshme me çfarëdo ngjarje në botë, përveç masakrave dhe gjenocidit.


Mirëpo, gjithashtu, askush nuk duhet të ndihet krenar kur krahasohet me Kosovën ose kur del më mirë se Kosova, e posaçërisht një shoqërie sqimtare siç është ajo britanike, e cila në momente të caktuara gjatë historisë përmes sundimit ka shpërndarë civilizim në gjysmën e botës. Britanikët, në epokën e lavdisë së tyre, kanë qenë të gatshëm të prodhojnë ironi dhe sarkazëm të pashoqe për çdo shoqëri që ishte pak më pak e avancuar se sa e tyre. Sot ata vetë janë shndërruar në material humoristik.

Kështu, ata, dy vite më parë, duke mos pasur shumë punë, vendosën t’ia bënin një pyetje popullit, të bindur që do ta pranonin përgjigjën që ata dëshironin.

Ish-kryeministri britanik David Cameron, për momentin i zhdukur diku, i zënë ngushtë me disa probleme brenda partisë së tij, por edhe me një kërkesë të vjetër të grupeve nacionaliste, për t’u divorcuar me Bashkimin Evropian, kishte vendosur që me një gurë t’i vriste dy zogj. Ta organizonte një referendum sa për sy e faqe, për t’ua mbyllur gojën rebelëve të partisë dhe forcave regresive nacionaliste. Cameron ishte i bindur që e dinte rezultatin paraprakisht.

Sondazhet flisnin që Brexit nuk kishte gjasa që të ndodhte, të dy partitë kryesore ishin kundër daljes, kështu që, sipas tij,  përse të mos bëhej një maskaradë demokratike. Mirëpo askush, Cameron jo se jo, nuk kishte qenë aq i përgatitur për fushatën që e bën gjatë referendumit forcat anti Evropë. Sasia e gënjeshtrave të përdorura prej tyre, brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore, ka mundësi që e ka thyer çdo rekord, madje edhe sipas standardeve mjaft fleksibile që i ka politika në këtë drejtim. 

Në këtë kontekst ia vlen të përmendet vetëm fakti që arkitektët e këtyre gënjeshtrave, si Boris Johnson, për momentin kandidati kryesor për Kryeministër, dhe Michael Gove, për momentin ministër, Nigel Farage, sabotator profesionist, thanë pak a shumë që “nëse me referendum i themi JO Bashkimit Evropian, atëherë Britanisë së Madhe i kthehet lavdia e dikurshme e perandorisë, atëherë Bashkimi Evropian, ditën e nesërme, do të na lutet ne për një marrëveshje të re, atëherë ne do t’i shpëtojmë 350 milionë funta që i humbim për çdo javë që qëndrojmë në Bashkim Evropian e të cilat do t’i investojmë në shëndetësi, atëherë ne do të bëjmë marrëveshje të tregtisë së lirë veç e veç me secilin vend të botës”.

Që nga atëherë e deri më sot Britania e Madhe ka arritur që të bëjë vetëm një marrëveshje për tregti të lirë me një ishull në paqësor. Shtete të mëdha, si bie fjala Kina, e kanë urdhëruar që të pres në radhë. Madje, as Donald Trump që i ka inkurajuar gjatë gjithë kohës për ta braktisur Bashkimin Evropian, nuk është treguar entuziast që të fillonte negociatat për një marrëveshje të re tregtare. Nëse Britania e Madhe del nga BE, e kjo edhe më tutje nuk është e qartë, do t’i duhet që të bëjë marrëveshje tregtare, që nga e para, me çdo vend të botës. Deri më tash këto punë i ka kryer Bashkimi Evropian si bllok, në emër të të gjitha shteteve.

Gjithashtu, edhe pse kishin shpresuar shumë që Bashkimi Evropian do t’i lutët për t’u marrë vesh për kushtet e shkurorëzimit, sepse, sipas fjalëve të tyre, ditën e parë pas referendumit ne i kemi të gjitha letrat në dorë, kjo gjë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, po i shikon për seri kah rrotullohen në humnerën që ia hapën vetës. Në shenjë nderimi, një ministre në Francë ka vendosur që macen e saj ta pagëzojë me emrin Brexit.

“Kur jam brenda ajo mjaullinë për t’ia hapur derën. Kur ia hapë derën ajo shkon deri të pragu i derës dhe qëndron aty, as nuk futet brenda e as nuk del jashtë”, ka thënë ajo, duke e ilustruar pozicionin momental politik të Britanisë së Madhe.


Të nesërmen e rezultateve të referendumit, arkitekti i kësaj marrëzie, David Cameron, kishte dhënë dorëheqje, duke ia lëshuar vendin një bashkëpartiakje tjetër, Theresa May. May, e cila gjatë fushatës për referendumin kishte qenë kundër daljes, tash si kryeministre ishte zotuar që do ta çonte në vend verdiktin e popullit, për ta nxjerr shtetin nga BE’ja.


Pa humbur kohë, dhe me shumë entuziazëm, kishin filluar negociatat me Bashkimin Evropian. Britanikët, pas një fushatë të gjatë, si duket kishin filluar t’u besonin edhe vetë trillimeve të tyre. Ishin të bindur që Bashkimi Evropian po e vuante shumë rezultatin e referendumit. Mirëpo e vërteta nuk kishte si të ishte më ndryshe. Bashkimi Evropian, posaçërisht Gjermania dhe Franca, deri në njëfarë mase ishin edhe ashtu të revoltuara me poziconin e Britanisë së Madhe brenda unionit. Britania e Madhe vazhdimisht ka qenë anëtari i lazdruar i këtij unioni. Nuk ka pranuar kurrë që të bëhet pjesë e zonës Schengen, duke e ruajtur kështu regjimin e vizave për të gjitha shtetet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, e as nuk ka hequr kurrë dorë nga Sterlingu i tyre për llogari të Euros. Prandaj, dukej sikur Bashkimi Evropian ishin të përgatitur për ta lënë të lirë këtë shtet që po i torturonte me mosbesim.  Në vend që të bënin panik, i kërkuan Theresa May’it që të lëvizte më shpejt me planin për divorc, në mënyrë që kjo temë të mbyllej njëherë e mirë. Si duket dëshironin që duke ia treguar vendin Britanisë së Madhe t’u tregonin edhe shteteve të tjera euroskeptike se çfarë pasojash do të kishin nëse do të ndiqnin këtë rrugë.

Kështu edhe ndodhi.

Te fundit


Kthehu lart