Ne, që vramë veten


load
Gazeta Express
27 Shtator 2019 11:14

Shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” është rrëfim për shkatërrimin e shpërfytyrimin e Prishtinës. Është rrëfim për rezistencën dhe vrasjen e Rexhep Lucit. Por, përtej kësaj, është rrëfim për shpërfytyrimin tonë, për ne që heshtëm e nuk rezistuam, duke lejuar që të triumfojë e keqja. Për ne që lejuam një grup njerëzish ta vrasin të ardhmen tonë. Për ne që vramë veten

Imer Mushkolaj

Nuk mund të mos ndihesh përgjegjës, nuk mund të mos mbushesh pezm e të mos emocionohesh kur të kthehet si një makth, nëpërmjet një shfaqjeje në teatër, vrasja e një qyteti. Vrasja e një kryeqyteti. Vrasja e Prishtinës. Gjithçka e sjellë mjeshtërisht në shfaqjen “Pesë stinët e armikut të popullit” me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Nezirajt, që këtë javë u dha premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Një rrëfim sa i dhimbshëm aq realist, që na kujton se si u bëmë dëshmitarë të shkatërrimit të një qyteti, të një qyteti që u zhduk ngadalë para syve tonë. Të një qyteti që u shpërfytyrua para nesh, që si spektatorë lejuam politikën e përzier me krim të na vjedhë hapësirën për të jetuar si njerëz, duke na shndërruar në minj që jetojnë pa e parë dritën e diellit.

Prishtina është shembulli më skandaloz i keqqeverisjes ndër vite, shembull se si “mafia e ndërtimit” e ka shndërruar atë në qytet të pajetueshëm, e ka betonizuar e sakatuar. Prishtina është qyteti që u vra në këmbim të milionave që u ndanë bashkë ndërmjet pushtetarëve e biznismenëve, ndërmjet atyre që në emër të zhvillimit qytetarëve u ofruan shkatërrimin e zhgënjimin.

Shfaqjen “Pesë stinët e armikut të popullit” duhet ta shohin të gjithë politikanët, ata që kanë qenë në pushtet e të tjerët që pretendojnë të qeverisin. Sepse në të do ta shohin veten. Shfaqjen duhet ta shohin edhe qytetarët, jo vetëm të Prishtinës, të paktën për të reflektuar, ndonëse me vonesë, se si nuk bënë asgjë për të ndalur vrasjen e një qyteti.

* * *

Njësoj si Prishtina pësoi thuajse e gjithë Kosova. Gjithandej shkatërrim në emër të ndërtimit. Duke nisur nga rrugë e objekte të trashëgimisë kulturore, për të vazhduar me shkatërrim lumenjsh e pyjesh. Duke nisur nga vjedhja e hapësirës për lëvizje të lirë të qytetarëve, vjedhja e hapësirave të gjelbra, vjedhja e hapësirës për lojë të fëmijëve.

Personazhi kryesor i shfaqjes është Arkitekti, që personifikon Rexhep Lucin e vrarë pas luftës, luftëtarin e fundit në mbrojtje të qytetit që po niste të shkatërrohej për të ngopur apetitet e sëmura të atyre që synim kryesor kishin pasurimin e shpejtë.

Në vend që të mbështetej në betejën e tij, ai u la vetëm. Jo vetëm nga bashkëqeverisës, por edhe nga bashkëqytetarë të tij, të cilët nuk treguan asnjë rezistencë për të ndalur tmerrin që pasoi. Mbase nga frika, e disa edhe për shkak të interesit.

Sot, gati dy dekada më vonë, Prishtina vazhdon të degradohet e shkatërrohet, e luftëtarët që ngrenë zërin në mbrojtje të saj numërohen në gishta. Sot, kur Rexhep Luci kujtohet rrallë nga të gjithë ne, Prishtina vazhdon të shpërfytyrohet, duke u kthyer në fotografinë më të shëmtuar që iu lihet trashëgim gjeneratave të ardhshme. Sot Prishtina, ashtu si dhe qytetet tjera, më tepër se në shërbim të qytetarëve, janë në shërbim të biznesit e politikës që nuk lënë parcelë toke pa e shndërruar në tulla e beton. Beteja për qytetin është humbur, e qytetaria është dorëzuar. E keqja ka triumfuar.

* * *

Para syve të qytetarëve e keqja vetëm sa është rritur. Sot spitalet nuk shërojnë, e shkollat nuk arsimojnë si duhet. Sepse kemi heshtur duke u bërë pjesë e së keqes. Kemi heshtur, duke u bërë pjesë e së keqes kur është dashur të ngremë zërin për ekonominë e shkatërruar, për papunësinë e varfërinë, për krimin e korrupsionin, për hajninë e zhvatjen, për vrasjet e plaçkitjet.

Kemi heshtur, thua se nuk na ka takuar secilit prej nesh të reagojmë. Kemi heshtur edhe kur me votën tonë kemi zgjedhur të na qeverisin ata që kanë keqpërdorur besimin e dhënë, ata që i kanë marrë votat tona, por i kanë mbushur xhepat e tyre, ata që na kanë rrejtë e mashtruar vite me radhë. Kemi heshtur, mbase edhe nga frika se mund të pësojmë si Rexhep Luci.

Por, në njëzet vjet lirie përnjëmend jemi kthyer, ashtu siç thuhet në shfaqje, në minj që nuk shohin dritën e diellit, në specie që iu shërbejmë një grupi njerëzish, të cilët e kanë trashur zullumin.

Tash, kur vetëm mund të ndjejmë keqardhje për atë që ka ndodhur, është vonë ta pyesim veten pse kemi lejuar dhe pse nuk kemi rezistuar. Shpresa se ky vend mund të bëhet është venitur, e besimi ka humbur. Të gjithëve duhet të na vijë turp si jemi katandisur. Si kemi lejuar ta vrasim veten.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart