Në pritje të raportit të Komisionit Europian për vizat, kryediplomati çek sot në Kosovë - Gazeta Express
string(86) "ne-pritje-te-raportit-te-komisionit-europian-per-vizat-kryediplomati-cek-sot-ne-kosove"

Në pritje të raportit të Komisionit Europian për vizat, kryediplomati çek sot në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

29/09/2022 7:16

Presidenca çeke e BE-së do ta rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën këtë vjeshtë. Këtë e ka konfirmuar ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, i cili sot vjen në Prishtinë. Në orën 11:00, kryediplomati çek do të takohet me zëvendësministrin e Kosovës, Besnik Bislimin

Pas takimit, ata do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Lexo Edhe:

Lipavský më pas do të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Tema e liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të diskutohet këtë vjeshtë sapo Komisioni Europian ta finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij për gatishmërinë e Kosovës për heqjen e vizave. Një zyrtar i Komisionit Evropian i tha Gazetës Express se janë duke përpiluar raportin për liberalizimin e vizave me disa përditësime teknike i cili do të prezantohet për diskutim në Këshillin e BE-së. 

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Europën që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet që prej disa vitesh. ‘Zbrapsja’ thuhet se vjen nga Franca, por edhe një pjesë e vogël e vendeve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë Greqinë, Rumaninë, Spanjën, Qipron dhe Sllovakinë.

“Kosova, të cilën do ta vizitoj këtë javë, është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për ta shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara”, citohet të ketë thënë Lipavský para dy ditësh.

“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështetet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Europian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga shtetet anëtare gjatë vjeshtës”, ka shpjeguar ministri çek.

Për ta miratuar liberalizimin e vizave është e nevojshme një shumicë e cilësuar prej të paktën 15 shteteve anëtare që përfaqësojnë 65% të qytetarëve të BE-së.