Në mëngjes dalin rrugëve të lypin, në drekë në strehën që u siguron pak fëmijëri që u mungon


load
Liridonë Çeta
7 Nëntor 2019 18:05

Terres des hommes dhe Drejtoria për Mirëqenie Sociale e Komunës së Prishtinës të hënën e 4 nëntorit kanë hapur Qendrën e qëndrimit ditor për fëmijët lypsarë. Në strehën e tyre të re, Gazeta Express ka qëndruar të enjten, nga ku sjell emocionet e të miturve me fëmijëri të vështirë

Mezi presin që t’i bëjnë disa para, se për atë edhe dalin në rrugë. E sapo e arrijnë një shifër të mjaftueshme që u duhet, nisen drejt vendit që tashmë është bërë i preferuar për ta – Qendra Ditore e fëmijëve. Aty, ambient krejt tjetër nga ai që janë mësuar po i pret, saqë kur shkuan për herë të parë nuk guxonin të preknin asgjë që ishte në atë objekt, nga frika se dikush do t’i qortojë. Lumturia vërehej në fytyrat e tyre. Kanë blerë edhe çorape të reja për t’i mbathur sa herë që bëjnë plan të shkojnë tek qendra.

Aktivitetet aty, ushqimi, pastërtia e gjithçka tjetër është bërë pjesë e pandashme e ditës së këtyre fëmijëve. Duart e vogla që paradite kërkojnë para ose lajnë ato xhama, pasdite kapin lapsin, lodrat e ushqimin që i ofrohet aty.

E këta fëmijë duken shumë të fortë vetëm nga jashtë, por në fakt, përbrenda janë shumë emocionalë e të brishtë. Jeta i ka detyruar që në rrugë të duken të fortë.

Derisa po hanin shujtën e ndarë për ta, ata i kanë treguar Gazetës Express se u pëlqen shumë të vizitojnë Qendrën e Qëndrimit ditor të fëmijëve. Atyre u pëlqejnë aktivitetet të cilat mbahen në qendër, e posaçërisht vizatimi dhe ngjyrosja.

“Mu m’pëlqen me nejt në qendër shumë. Çdo ditë vij, rri deri në ora 2 ose 3. M’pëlqen me vizatu, njerëzit, shpijat. E kom vizatu shkronjën “A”, nuk e kom zor me vizatu, m’pëlqen, edhe me ngjyrosë m’pëlqen. Sot kemi nejt në semafor, kemi la xhama, i kemi ba ka 5 euro e jemi mërdhi”, ka treguar një vajzë 12-vjeçare. 

E shokut të saj 15-vjeçar, përveç vizatimit i pëlqen ta shikojë filmin për fëmijë “Borëbardha më shtatë xhuxhët”.

“Mu më pëlqen shumë qendra, kam qejf me ardhë gjithë në qendër me nejt me mësuesen. Janë shumë të mira, kujdesen për neve. Kom bo edhe shokë, do të tjerë i njoh. Edhe mu m’pëlqen me vizatu. Më pëlqen filmi më shtatë xhuxhët,  Ni shok më ka thanë që vjen edhe ai sot n’qendër ”, ka treguar ai.

E udhëheqësit e kësaj qendre kanë treguar për Gazetën Express sfidat nëpër të cilat hasin përgjatë realizimit të projektit të tyre, për socializimin e fëmijëve në situatë rruge. Por, ata kanë marrë sipër vetës një mision të cilin jo vetëm se do ta çojnë deri në fund, por thonë se do ta bëjnë të pamundurën që këta fëmijë të nisin.

Egzona Gashi, koordinatore e qendrës, nga Terres Des Hommes, ka treguar në detaje gjithë punën që po bëhet në këtë qendër me fëmijët në situatë rruge.

“Pikërisht kjo është ndër sfidat që kemi menduar që kemi me hasë kur është hapë qendra, sa kemi mundur t’i tërheqim në aspektin e mirë, në një hapësirë e cila është tipike për një moshë të tyre. patjetër është rreziku që nëse i marrim prej rrugës, në njëfarë forme ua ndalë të ardhurat, për atë kohë sa qëndrojnë në qendër ata nuk gjenerojnë të ardhura, nuk shesin ose nuk pastrojnë”, ka treguar Gashi.

Ajo ka theksuar se në fillim, fëmijët kanë pasur hezitim në përdorimin e gjërave të qendrës, të cilat janë pikërisht për ta.

“Kur kanë ardhë për herë të parë në qendër, reagimi i parë i tyre ka qenë “a janë këto për neve”, a mujna na me i përdorë, krejt këto mjete janë tonat a?”, kjo na ka bërë të kuptojmë se atyre iu mungon ajo pjesë që është për fëmijë”, ka treguar Gashi.

Por, një gjë që këta fëmijë e kanë sfidë është koha të cilën duhet ta ndajnë në mes qëndrimit në qendër dhe qëndrimit në rrugë, aty ku edhe sigurojnë paratë për të jetuar.

“Në kohën kur janë këtu, e kanë brengën që kanë me mbetë pa i fitu paratë, sepse dikujt prej tyre iu është thënë “kaq para duhet t’i fitoni brenda ditës. Çdo herë po i mundon ajo se koha e kaluar në qendër do t’i lërë pa përfitime, janë në mes të një dileme shumë të madhe “këndej po kënaqemi, por po na humbë koha pa punu”. Por, kur po vijnë dhe po i bëjnë aktivitetet në qendër, po e kuptojnë se kjo është ajo çfarë atyre iu pëlqen dhe duan ta bëjnë, por në të njëjtën kohë njëri-tjetrit i thonë se janë vonuar dhe kanë mbetur pa fitu shumë gjatë asaj dite”, ka theksuar Gashi. 

Përmes aktiviteteve aktiviteteve të lira, argëtuese, herë pas here piskosociale, këtyre fëmijëve iu mundësohet ta njohin njëri-tjetrin, të ambientohen me kujdesin dhe lojërat të cilat u takojnë moshës së tyre. 

Gjatë kohës kur janë në qendër e shohin si është të kenë hapësira për vete, t’i pranojë dikush ashtu si janë, e më e rëndësishmja që dikush të përkushtohet për ta, qoftë për një aktivitet apo lojë, t’i këshillojë, udhëzojë apo përkrahë dikush kur ata kanë nevojë.

“E kemi pasur një vajzë e cila ka pasë ftohje, e kemi dërgu në qendrën e mjekësisë familjare për kontroll mjekësore. Mënyra si stafi mjekësor e ka pritur, ka qenë e pabesueshme për të, është mësuar që në rrugë të ketë të ketë trajtim tjetër, njerëzit e kanë fyer dhe i kanë bërtitur, e kanë nënçmuar e injoruar”, ka treguar Gashi.

Ajo ka bërë të ditur se me disa nga fëmijët janë njohur para hapjes së qendrës, kjo për shkak se Terre Des Hommes në kuadër të projektit, ka pasur ekipe mobile nëpër Prishtinë dhe Prizren për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge.

Gashi ka treguar se kanë bashkëpunim edhe me policinë e institucionet tjera përkatëse, pasi ka pasur raste edhe kur në terren janë kërcënuar nga persona të cilët nuk janë dukur të jenë prindër të fëmijëve lëmoshëkërkues.

 “Qëllimi kryesor i këtij projekti është që të ua reduktojmë qëndrimin në rrugë, të paktën një orë apo dy në ditë të hanë ushqim të shëndetshëm, të jenë mbi të gjitha të sigurt e të kenë disa momente ku do t’i kalojnë ashtu si u përshtatet moshës së tyre. Është kategori sfiduese, ne çdo ditë kemi sfida apo raste që na bëjnë të kuptojmë segmente dhe kategori të caktuara të fëmijëve apo familjeve të caktuara”, ka theksuar Gashi.

Ajo ka treguar se kanë bërë vizita edhe nëpër familjet e fëmijëve, por nuk i kanë gjetur nëpër shtëpitë e tyre. E ndërkaq ka theksuar se momentalisht qendrën e vizitojnë fëmijë të komunitetit RAE dhe shqiptarë.

Fëmijët që e vizitojnë qendrën janë prej moshës 8-17 vjeç, ndërkaq shumë prej tyre kanë lidhje familjare në mes vete.

Shumica e tyre nuk vijojnë mësimet, e ka edhe nga ata që ato i kanë ndërprerë për shkak të diskriminimit në shkollë.

I tillë është rasti i një 17-vjeçari i cili e viziton qendrën.

“Një fëmijë i komunitetit ka treguar se në shkollë ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm, por nga shkolla është larguar si pasojë e diskriminimit dhe mënyrës së trajtimit”, ka treguar Gashi për Express.

“Kanë filluar të blejnë çorape për t’i marrë me vete, por ne gradualisht jemi duke e bërë mundësinë që t’u blejmë disa veshmbathje. Po ashtu t’u ndihmojmë edhe në familje atyre që kanë më shumë nevojë”, ka theksuar ajo.

Stafi i qendrës përbëhet nga një mësimdhënëse, një psikologe, një punëtore sociale dhe koordinatorja. Po ashtu, Terres Des Hommes ka ekipin mobil i cili bën identifikimin e fëmijëve, komunikimin me komunitet, me iniciativa brenda komuniteteve, ndërlidhjen e qendrës me idetë e projekteve tjera brenda organizatës.

Qendra ka filluar punën  me 4 nëntor të këtij viti nga Terres des hommes në bashkëpunim me Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës./GazetaExpress

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart