Në Alaskë gjendet letra në shishe që ishte shkruar para gjysmë shekulli


load
Gazeta Express
19 Gusht 2019 8:53

Një burrë e ka gjetur një letër të vendosur në shishe të mbyllur, e cila ishte hedhur në ujë nga një pjesëtar i marinës ruse. Shishja me letrën brenda saj është gjetur në brigjet e pjesës perëndimore të Alaskës.

Tyler Ivanoff e gjeti letrën e shkruar me dorë në kohën kur po mblidhte drurë për zjarr në Shishmaref, rreth 966 kilometra në veriperëndim të Anchorages.

“Isha duke mbledhur drurë për zjarr. Qëllova aty dhe e pashë një shishe të gjelbër, e cila ishte e mbyllur me një tapë. Brenda shishes ishte një letër”, tha Ivanoff.

Ai e publikoi lajmin në Facebook, ku njohësit e gjuhës ruse e përkthyen letrën. Më pas u bë e ditur se letra është një përshëndetje nga një marinar rus që merrte pjesë në Luftën e Ftohtë në vitin 1969. Në letër ishte e shkruar edhe një adresë dhe kërkohej përgjigje nga personi që do ta gjente atë.

Reporterët rusë thanë se autori i letrës është kapiteni Anatoliy Botsanenko. Letra ishte dërguar kur ai ndodhej në anijen “Sulak”, me të cilën kishte lundruar deri në vitin 1970.

Kur ia treguan fotografitë e shishes dhe letrës, Botsanenkos i dolën lotët e gëzimit. Ai tha se gjatë karrierës së tij ishte kapiteni më i ri në Oqeanin Paqësor në moshën 33 vjeçare, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart