«Ndoshta indirekt kam ndikuar…»


Gazeta Express
18 Mars 2019 15:53

Bën shumë përshtypje reagimi i kryeministrit pas pyetjeve të gazetarëve nëse ka ndikuar në punësimin e saj. «Ndoshta indirekt kam ndikuar…». Është pranimi refuzues. Është shtirja e atij që e di se qëndron sipër dhe zërat xigëlues nga poshtë nuk e thumbojnë, por, tashmë, nuk ka pse t’i shtypë më si dikur, edhe kur mezi dëgjoheshin. Është batuta që gjoja duhej të përmbante humor, por në të vërtetë përmban arrogancë, përçmim, poshtërim.

Arben Idrizi

Ligjet (të cilat, në parim, sillen për të mirën e të gjithëve) respektohen të shtyrë nga morali dhe përgjegjësia. Mungesa e turpit dhe mungesa e përgjegjësisë ndikojnë në njëra tjetrën. Mirëpo, nuk përjashtohet assesi që ndonjëherë një person të ketë mungesë turpi, por, për shkak të rreptësisë së ligjeve dhe zbatimit të tyre të efektshëm, të mos (guxojë të) lëshohet në shkeljen e tyre. Më të rralla (dhe më të lavdishme) janë rastet kur, edhe pse do të mund të shmangej zbatimi i ligjit dhe mbajtja e përgjegjësisë, nuk (e lejon veten të) lëshohet në një shkelje të tillë, thjesht i shtyrë nga morali, turpi.

Në këto dy kategori nuk bëjnë pjesë, në përgjithësi, politikanët dhe zyrtarët e tjerë kosovarë. Karakterizohen për mungesë të plotë të turpit dhe përgjegjësisë.

Të dhënat e përcjella nga të gjitha mediat thonë se vetëm gjatë periudhës njëvjeçare, shkurt 2018 – shkurt 2019, në njërën prej kompanive publike më famkeqe të korrupsionit, keqpërdorimeve dhe nepotizmit, në Telekomin e Kosovës, janë punësuar rreth 234 persona, familjarë dhe të afërm të tjerë të deputetëve të AAK-së, PDK-së dhe NISMA-s, subjekteve që aktualisht përbëjnë koalicionin në pushtet.

Punësimet e tilla kanë ndodhur që nga fillimi i marrjes së kontrollit mbi këtë kompani. Ka qenë njëra prej minierave të pashtershme të keqpërdorimeve dhe punësimeve, të kryera nga të gjitha subjektet që alternoheshin në pushtet. Po aq të pasura kanë qenë edhe kompanitë e tjera publike, përfshirë në fund edhe vetë radiotelevizionin e Kosovës, RTK-në. Zyrtarë të lartë të PDK-së dhe LKD-së në vazhdimësi, që nga fillimi, kanë punësuar të afërmit e vet në sektorin në publik vendet e punës më të leverdishme.

Ka një druajtje arrogante në arsyetimet e keqbërësve. Të qenit në pushtet u ka dhënë sigurinë e të qenit të paprekshëm. E megjithatë, përfolja në media i kthen për një moment, për një moment të vetëm, te druajtja, të cilën menjëherë e përdorin si armë superioriteti kundër opinionit publik. Është druajtja arrogante, hipokrite. Shembulli më ilustrativ është dhënë nga një keqbërës ilustrativ, Adem Grabovci. I akuzuar nga mediat dhe opinioni (jo nga prokuroria) për nepotizëm, ai pati deklaruar se, në parafrazim, punësimi i të afërmeve është si rezultat i faktit se PDK e vlerëson shumë lart familjen, që është qelizë e shtetit dhe ai që nuk e respekton familjen nuk e respekton as rrethin as askënd tjetër. Përkthyer në kuptimin e vërtetë, do të thotë: ne jemi një familje, familja jonë është një bandë, banda jonë është bandë mafioze në krye të shtetit, nuk i jep përgjegjësi askujt dhe bën ç’t’i teket.

Qeveritë e Kosovës kanë arritur madje ta përballojnë edhe presionin ndërkombëtarë pas punësimeve të dyshimta politike. Rasti më i ri është ai i emërimit të Naser Shalës (për ironi i njohur në luftë me nofkën ‘Ftyra’), në krye të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës. ‘Ftyra’ është vetëm njëri prej qindra të pafytyrëve të pushtetit.

Një skandal i pabesueshëm ishte punësimi i katër fëmijëve nga një punëtor i brendshëm i Telekomit.

Pastaj, punësimi i të birit të Muharrem Nitajt, një ish gazetari, tash deputet i AAK-së.

Dhe së fundmi, punësimi i një familjareje të kryeministrit Haradinaj.

Punësimet partiake dhe nepotizmin nuk e mohojnë pra as vetë krerët e shtetit.

Bën shumë përshtypje reagimi i kryeministrit pas pyetjeve të gazetarëve nëse ka ndikuar në punësimin e saj. «Ndoshta indirekt kam ndikuar…». Është pranimi refuzues. Është shtirja e atij që e di se qëndron sipër dhe zërat e shkretë xigëlues nga poshtë nuk e thumbojnë fare, por, tashmë, nuk ka pse t’i shtypë më si dikur, edhe kur mezi dëgjoheshin. Është batutë filmash gangsterë që gjoja duhej të përmbante humor, por në të vërtetë përmban arrogancë, përçmim, poshtërim.

Pra, shteti është formacion bandash, familjesh mafioze. Në këtë derexhe e kanë sjellë ata që natë e ditë na bombardojnë me deklarimet se janë personat që e kanë çliruar vendin dhe shpallur pavarësinë, do të thotë ‘ftyrat’ e pafytyra.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart