Aktori britanik Michael Pennington, i njohur për rolin e tij në filmin ikonik “Return of the Jedi”, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.
Në sagën e famshme “Star Wars”, të krijuar nga George Lucas, Pennington interpretoi personazhin Moff Jerjerrod, zyrtarin ushtarak përgjegjës për mbikëqyrjen e ndërtimit të Yllit të Dytë të Vdekjes.
Përtej rolit të tij në kinematografinë fantastiko-shkencore, Pennington u vlerësua gjerësisht si një nga interpretuesit më të spikatur të veprave të William Shakespeare. Ai iu bashkua Royal Shakespeare Company menjëherë pas diplomimit në Trinity College, Cambridge, në vitin 1964. Karriera e tij teatrore arriti një nga kulmet me interpretimin e Hamletit në vitin 1980, rol për të cilin mori vlerësime të shumta nga kritika. Regjisori i njohur i teatrit, John Barton, e kishte cilësuar Penningtonin si “një aktor të jashtëzakonshëm”.
Aktori pati gjithashtu një karrierë të rëndësishme në televizion dhe kinema. Në vitin 2011, ai interpretoi ish-liderin laburist Michael Foot në filmin biografik “The Iron Lady”, ku luajti përkrah aktores Meryl Streep. Ndër rolet e tjera të njohura përfshihen interpretimi i Laertit në adaptimin filmik të “Hamlet” nga Tony Richardson, si dhe paraqitjet në produksione televizive si “The Return of Sherlock Holmes”.
Përveç aktrimit, Pennington ishte edhe autor. Ai botoi libra mbi veprat e Shakespeare-it, si dhe shkrime udhëtimi, përfshirë veprën “Rossya: A Journey Through Siberia”.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta në botën e artit, ku ai kujtohet si një artist me kontribut të rëndësishëm në teatër, televizion dhe kinema. /GazetaExpress/