Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar një roje pylli, zyrtar në Agjencinë Pyjore të Kosovës, për keqpërdorim të pozitës.
Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës gjatë zbatimit të planit operativ “Gatishmëria” përmes vëzhgimit me dron, ka identifikuar zyrtarin që po tejkalonte kompetencat zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, S.H. ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke damkosur dhe lëshuar fletë përcjellje për masë drusore të sjella në mënyrë ilegale nga Serbia, për në fshatin Shahiq, Komuna e Kamenicës.
Pas pranimit të kallëzimit penal, Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit ka filluar hetimet si dhe ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan.