Ndahet nga jeta një ndër themeluesit e Partisë Demokratike


Gazeta Express
25 Qershor 2019 12:13

Përmes rrjeteve sociale kreu i PD-së, Lulzim Basha njofton se është ndarë nga jeta një nga themeluesit e Partisë Demokratike, Sejdi Peka.

“Sejdiu nuk e njohu për së gjalli të atin, heroin e tij, por eci në gjurmët e tij dhe ishte një luftëtar i paepur për demokracinë që në fillim, në Qarkun e Kukësit”, shkruan Basha.

Mesazhi i Bashës:

Mësova me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të Sejdi Pekës, themeluesit të Partisë Demokratike, Pishtarit të Demokracisë, luftëtarit të paepur kundër diktaturës komuniste dhe aktivistit shumëvjeçar në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Sejdiu ky pinjoll i një prej familjeve të mëdha që kurrë nuk u pajtuan me diktaturën dhe bënë çmos që t’ja shkurtonin jetën asaj, i dha dinjitet qëndresës 50-vjeçare të shoqërisë shqiptare kundër një prej regjimeve më të egra të planetit. I biri i luftëtarit të njohur të kompanisë famëmadhe 4000, Iljaz Pekës, Sejdiu e kaloi gjithë fëmijërinë e vet në kampe internimi dhe u rrit me atdhedashurinë e panjollosur nga propaganda e diktaturës.

Nën shënjestrën e makinerisë së dhunës që diktatura kishte ngritur në të gjithë vendin, familja e Sejdi Pekës ishte viktimë e luftës së klasave dhe vetë Sejdiu një pjesë të të rëndësishme të jetës e kaloi në kampet e internimit. Kam lexuar me mallëngjim përgjigjen që nëna e Sejdiut u dha oficerëve të Sigurimit, kur i kërkonin të thoshte se ku e kishte të shoqin dhe se si do t’i rriste fëmijët, pa patur as të drejtën e tallonit të bukës: “Fëmjët e Iljaz Pekës unë do t’i rris edhe në majën e atij lisi” ju është përgjigjur kjo heroinë e qëndresës ndaj diktaturës kasnecëve të Sigurimit.

Sejdiu nuk e njohu për së gjalli të atin, heroin e tij, por eci në gjurmët e tij dhe ishte një luftëtar i paepur për demokracinë që në fillim, në Qarkun e Kukësit.

Pishtari i Demokracisë Sejdi Peka nuk pushoi së angazhuari edhe pas 1990-s në mbrojtje të të drejtave të njeriut, duke spikatur në betejat e tij mediatike për dekomunistizimin e shoqërisë, kryesisht në apelet për hapjen e dosjeve të komunizmit si dhe largimin nga administratave të të gjithë atyre që kishin milituar në mekanizmat e diktaturës së dhunës.

Drejtues shumëvjeçar i degës së kryeqytetit të Shoqatës Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politikë, Sejdi Peka nuk reshti së angazhuari në të gjitha betejat e shoqërisë kundër tentativave për restaurimin e trashëgimisë diktatoriale dhe kthimin në pushtet të brezit të dytë të pinjollëve të diktaturës. Qindra shkrime botoi Sejdi Peka kundër ringjalljes së nostalgjisë për komunizmin dhe diktaturën dhe ky kontribut është një amanet që ai na lë të gjithëve, që ne të bëhemi barrikadë kundër këtij rreziku.

Me ndarjen nga jeta të Sejdi Pekës, familja humbi njeriun e dashur, Partia Demokratike një veteran të aktivizmit politik, mediat një aktivist të palodhur, kurse shoqëria një zë të pavarur. Por trashëgimia e tij publicistike do na shërbejë të gjithëve si një leksion që do t’i kthehemi sa herë metastazat e diktaturës do të kërkojnë të rifitojnë dukje publike.

U prehtë në paqen e amëshuar!

Te fundit


Kthehu lart