NATO thirrje Kosovës: Shtensionojeni menjëherë situatën në Veri - Gazeta Express
string(62) "nato-thirrje-kosoves-shtensionojeni-menjehere-situaten-ne-veri"

Lajme

Gazeta Express

27/05/2023 10:37

NATO thirrje Kosovës: Shtensionojeni menjëherë situatën në Veri

Lajme

Gazeta Express

27/05/2023 10:37

Aleanca e NATO’s i ka bërë thirrje Kosovës që të qetësojë situatën në veri të vendit, një ditë pas tensioneve që u krijuan atje.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, përmes një postimi në Twitter tha se të gjitha palët duhet t’i zgjidhin çështjet përmes dialogut, derisa theksoi se KFOR’i mbetet vigjilent në këtë rajon, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi Lungescu.

Ndryshe, kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë arritur të futen dje në zyrat e tyre me asistim të Policisë. Grupe të banorëve vendas në këto komuna të banuara me shumicë serbe kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë. Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina.

Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar menjëherë ndërkombëtarët. I pari që reagoi ishte Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Hovenier dënoi veprimet e autoriteteve të shtetit të Kosovës për t’i futur kryetarët e rinj në objektet e komunave.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet që po vazhdojnë nga autoritetet kosovare për të hyrë në objektet e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndalen menjëherë”, shkroi Hovenier.

Pak më vonë reagoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ai shkroi në Tëitter se “dënon fuqishëm veprimet e Qeverisës së Kosovës” që sipas Blinken po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin.

”I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurtit të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet në postimin e Blinken.

Pas reagimeve të SHBA-së, kanë reaguar përmes një komunikate të përbashkët edhe shtetet e QUINT-it.

Në këtë komunikatë QUINT-I ka dënuar vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës pavarësisht thirrjes për përmbajtje.

QUINT ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të tërhiqen menjëherë, të qetësohet situata dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFORin. Kanë dënuar sulmet ndaj EULEX-it në Zveçan dhe gjithashtu kanë shprehur shqetësimin e tyre me vendimin e Serbisë për të ngritur në gjendje gatishmërie ushtrinë.

“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Për situatën në veri ka reaguar edhe Bashkimi Evropian. BE ka thënë se “nuk do të pranojë lëvizje të mëtejshme të njëanshme apo provokuese”

“Bashkimi Evropian dënon shumë ashpër përleshjet ndërmjet Policisë së Kosovës dhe demonstruesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur për të hyrë në ndërtesat komunale”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga shërbimi për shtyp i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).

“Të gjithë duhet të ndërmarrin hapa për të ulur situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë lëvizje të mëtejshme të njëanshme apo provokuese dhe ruajtja e paqes dhe sigurisë në terren duhet të jetë prioritet”, thuhet në deklaratë.

Edhe Shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh ka thënë se është duke i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Duke bërë thirrje për ulje të tensioneve, ajo ka thënë se zgjidhja e kësaj duhet të bëhet përmes dialogut Kosovë-Serbi.

“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm Ziadeh po ndjek me shqetësimin më të madh situatën në zhvillim në veri të Kosovës. Ajo u bën thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme përshkallëzuese dhe të ndërmarrin hapa urgjentë për të rivendosur qetësinë. Ajo thekson nevojën për të gjetur një zgjidhje brenda kuadrit të Dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e UNMIK.

KFOR ka njoftuar se është duke e monitoruar nga afër situatën në Veriun e Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën Express, KFOR’i e cilëson si të dhunshme hyrjen e kryetarëve në komunat veriore.

Sipas KFOR’it një situatë e tillë rrezikon përshakllëzim të mëtejmë të situatës.

”KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në Komunat në veri të Kosovës ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto akte të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë”, thuhet në përgjigje.

Më pas, KFOR ka kërkuar që gjithë akterët e përfshirë të koordinohen.

”Koordinimi midis të gjithë aktorëve është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Prioriteti i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”, mbaron përgjigjja.