Naser Ramadani me plot 48 mijë euro të hyra në vit, gruaja e tij i merr 10 mijë euro nga Instituti - Gazeta Express
string(98) "naser-ramadani-me-plote-48-mije-euro-te-hyra-ne-vit-gruaja-e-tij-i-merr-10-mije-euro-nga-instituti"

Naser Ramadani me plot 48 mijë euro të hyra në vit, gruaja e tij i merr 10 mijë euro nga Instituti

Gazeta Express

12/08/2020 12:41

Një prej figurave që ka dalë në sipërfaqe në kohë pandemie, është edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani. Ramadani që u bë i njohur edhe me motot “virusi nuk ka këmbë” dhe së fundi edhe me “secili ka të drejtë të infektohet”, e udhëheq këtë institucion hiç më pak se nga viti 2006, prej të cilit merr rreth 14 mijë euro çdo vit, raporton Express.

Por, këto nuk janë të hyrat e vetme të Ramadanit. Përveç parave që merr nga IKSHP-ja, ai merr edhe rreth tetë mijë euro nga Universiteti i Prishtinës, mbi 1 mijë euro të tjera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, rreth 5 mijë e 300 euro nga Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar dhe mbi 1 mijë e 700 euro nga Ministria e Shëndetësisë (nga Bordi i ShSKUK-së, Ramadani është shkarkuar nga Albin Kurti).

Lexo Edhe:

Ndërkohë te të dhënat e tjera në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, profesor Ramadani ka deklaruar se merr edhe rreth tetë mijë euro nga një kolegj privat dhe 9 mijë e 180 euro nga konsulenca KFOR-NATO.

Në total, të hyrat vjetore të tij sillen rreth 48 mijë euro.

Përveç Ramadanit, pagë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik merr edhe bashkëshortja e tij. Ajo paguhet mbi 10 mijë euro në vit nga Instituti, derisa merr edhe rreth 2 mijë euro nga trajnimet.

Ramadani ka edhe goxha para të gatshme në bankë, por që nuk i mungojnë as borxhet.

I pari i IKShP-së ka rreth 25 mijë euro të kursyera në bankë, bashkëshortja e tij gati 36 mijë euro, derisa fëmijët e tij mbi 18 mijë euro.

Ai ka edhe kredi në vlerë prej 14 mijë e 300 euro, derisa bashkëshortja e tij u ka borxh bankave mbi 32 mijë euro.

Tek pasuritë e paluajtshme, Ramadani ka deklaruar një banesë në vlerë prej 111 mijë e 528 euro, në pronësi të përbashkët, një banesë tjetër në vlerë 60 mijë euro dhe një shtëpi me truall në vlerë prej 150 mijë euro, që i ka në pronësi të përbashkët.

Ndërkohë, si pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë Toyota në vlerë prej 11 mijë e 230 euro dhe veturën e bashkëshortes në vlerë 12 mijë e 500 euro. /Gazeta Express/