Napoli i ka dhënë shkollë futbolli Romës, duke e mposhtur 4-0 në San Paolo, që së shpejti do të marrë emrin e legjendës, Diego Maradona.
Të besuarit e Gennaro Gattusos u treguan të papërmbajtshëm duke e dërguar katër herë topin në portën e mysafirëve dhe çdo gol ishte për të madhin, Maradonën.
Gjithçka nisi në minutën e 31-të, me supergolin e Lorenzo Insignes, që realizoi për rezultatin e pjesës së parë, 1-0.
Në pjesën e dytë, u mendua se Roma do të bëjë diçka më shumë për të ndryshuar ndeshjen, por ishte Napoli skuadër më agresive në fushë dhe iu qas sfidës shumë më ndryshe se në pjesën e parë, duke shënuar edhe tre gola të tjerë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.
Goleada që nisi me Insignen, vazhdoi me Fabianin, që në minutën e 64’, shënoi për 2-0.
Në minutën e 81’, golin e gjeti edhe Mertens për 3-0, deri në atë të 87’, shënoi edhe Matteo Politano, për rezultatin përfundimtar 4-0.
Me këtë fitore, Napoli shkon në kuotën e 17 pikëve në vendin e pestë, derisa Roma zbret në pozitën e pestë, por ka pikë të barabarta me Napolin dhe Juve – nga 17. /Gazeta Express/