Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka njoftuar se në Lidhjen Demokratikë të Kosovës është angazhuar një ekip ekspertësh për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat e koronavirusit, raporton Express.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se prioritet themelor do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomisë dhe e punësimit si dhe masat lehtësuese për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera.
“Do të trajtohen të gjitha burimet dhe potencialet e brendshme dhe të jashtme financiare, do të analizohet strukturimi emergjent i buxhetit në aspektin e konsumit, kursimit dhe likuiditetit dhe masat për likuiditetin e sektorit financiar në tërësi”, ka shkruar Mustafa. /Gazeta Express