Mustafa pas takimit me Kasamin: Vazhdoj të jem në ASH, reagojnë nga Lëvizja Besa - Gazeta Express
string(78) "mustafa-pas-takimit-me-kasamin-vazhdoj-te-jem-ne-ash-reagojne-nga-levizja-besa"

Mustafa pas takimit me Kasamin: Vazhdoj të jem në ASH, reagojnë nga Lëvizja Besa

Gazeta Express

30/05/2020 20:04

Kryetari i nëndegës së ASH-së në fshatin Lisec, Lirim Mustafa përgënjeshtron lajmin se ka kaluar në Lëvizjen Besa edhe përkundër takimit që dje pati me kreun e Besës, Billall Kasamin.

Takimi u bë me ndërmjetësimin e ish kryetarit të ASH-së për degën e Tetovës, Altrim Mahmuti i cili edhe e publikoi fotografinë nga takimi me mbishkrimin “Vazhdojmë” duke aluduar në aderimet që zakonisht ndodhin para zgjedhjeve, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Unë Lirim Mustafa Kryetar i Nëndegës së ASH Fshati Lisec, demantoj lajmet e publikuara se kam kaluar në koalicionin BESA-LSDM. Njoftoj opinionin se fotografia e publikuar ësht keqpërdorur pa vullnetin tim. Unë vazhdoj të jem Kryetar i Nendegës së ASH fsh. Lisec së bashku me të gjithë anëtarët e nëndegës. Ju bëj thirje të gjithë shqiptarëve ta mbështesin koalicionin shqiptar si e vetmja shpresë për ta sjellur ndryshimin” ka thënë Lirim Mustafa.

Ndërkaq nga Lëvizja Besa thonë se Lirim Mustafa në videon e publikuar duket i frikësuar dhe flet në gjendje stresuese, duke aluduar në mundësinë e kërcënimeve për të ndryshuar qëndrim.

Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Elmedin Memishi për Gazetën Express thotë që deklarata e publikuar i ngjanë grupeve kriminale që mbanë pengje nën presion dhe frikë.

Nuk duam që të bëhemi pjesë e një gare politike se prej ku vijnë prurjet në Lëvizjen BESA pasi që çdokush qe ka ardhur dhe vjen për çdo ditë është shkaku i vullnetit të mirë dhe hapësirës demokratike për të vepruar brenda Lëvizjes BESA. Për rastin në fjalë besoj se duhet të pyetet personi në video i cili duket shumë i frikësuar dhe në gjendje stresuese se çka e ka shtyrë brenda një ditë të “ndryshojë” qendrimi dhe pse deklaratën nuk e ka dhënë duke i njoftuar gjitha mediat por vetëm para një mikrofoni dhe një kamere që më shumë u ngjan grupeve kriminale që mbajnë pengje nën presion dhe frikë”. thotë zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Elmedin Memishi.

Redaksia e Gazetës Express në Shkup tentoi që të bie në kontakt edhe me Lirim Mustafën por telefoni i tij ishte i fikur.

Fotografi nga takimi i djeshëm mes Mustafës, Kasamit dhe Altrim Mahmutit.

Në vazhdim keni linkun nga video e publikuar./GazetaExpress/B.Leka/