Mustafa konfirmon për Express: Kam kërkuar pajtimin e Këshillit të LDK-së për koalicion me AAK-në, Nismën dhe pakicat - Gazeta Express
string(113) "mustafa-konfirmon-per-express-kam-kerkuar-pajtimin-e-keshillit-te-ldkse-per-koalicion-me-aakne-nismen-dhe-pakicat"

Mustafa konfirmon për Express: Kam kërkuar pajtimin e Këshillit të LDK-së për koalicion me AAK-në, Nismën dhe pakicat

Arlena Krivenjeva

13/04/2020 11:19

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar përgatitjet e para për koalicionin e ri qeverisës, në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk e dorëzon emrin për mandatarin apo dështon të sigurojë votat që i duhen në Kuvend. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i ka thënë Gazetës Express se për koalicionin me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe pakicat, Këshilli i përgjithshëm do të vendosë përmes votës deri nesër në orën 16:00.

Kanë kaluar dy javë prej kur presidenti i vendit ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të bëjë propozimin e emrit të ri për mandatarin, pasi që qeveria aktuale u rrëzua në kuvend me mocion mosbesimi.

Lexo Edhe:

Ani pse partia e Albin Kurtin është deklaruar se do t’i përgjigjet presidentit, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur dhe nuk dihet afati kohor kur mund të dorëzohet emri për mandatarin.

Derisa LVV-ja nuk po tregon sinjale për formimin e Qeverisë së re, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar një propozim në organin më të lartë të partisë.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i ka thënë Gazetës Express se ka kërkuar miratim nga Këshili i Përgjithshëm për një koalicion me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe komunitetet joshumicë.

Kjo, sipas Mustafës, do të bëhet nëse shterren rrugët kushtetuese me partinë e parë që ka dalë nga zgjedhjet.

“Unë kam iniciuar marrjen në parim të pajtueshmërisë nga Këshilli i përgjithshëm për një koalicion qeverisës me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë e komuniteteve joshumicë, në rast se pas shterjes së rrugëve kushtetuese me partinë fituese relative të zgjedhjeve, LVV, i ofrohet mandati LDK-së, si pari e dytë”, ka deklaruar ai.

Mustafa thotë se Këshilli i Përgjithshëm do të vendosë më së largu deri nesër në orën 16:00.

“Përgjigjen nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm duhet ta kem nesër deri në ora 16:00. Nuk do të marr asnjë veprim pa pajtimin e organit (KP), i cili vendos për koalicionet në nivel qendror”, ka shtuar ai.

LDK-ja ka kërkuar prej partisë së Albin Kurtit që të marrë përgjegjësi qytetare dhe të provojnë ta sigurojë shumicën në Kuvend.

“Radha është që Lëvizja Vetëvendosje ta marrë mandatin si përgjegjësi qytetare dhe të provojë ta sigurojë një shumicë. Nuk ka arsye të mos veprojë, sepse vendi nuk mund të drejtohet në këtë situatë nga një qeveri në detyrë e cila nuk mund t’i adresohet Parlamentit për masat e nevojshme, Sa i përket kohës, është institucioni i Presidentit që vendos mbi bazën e interpretimit të Kushtetutës”, bëri të ditur Mustafa.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tashmë i është drejtuar me anë të dy letrave kreut të Qeverisë në detyrë e liderit të LVV-së duke ia kërkuar emrin për mandatarin.

LVV-ja ka deklaruar se një gjë e tillë do të ndodhë, në përputhje me Kushtetutën, që s’jep afate se kur duhet të dorëzohet emri. /GazetaExpress/