Mustafa i godet Kurtin e Osmanin pasi Hoti mori detyrën: U bashkërenduan për ta bojkotuar, por nuk u bëri punë - Gazeta Express
string(109) "mustafa-godet-kurtinnn-e-osmanin-pasi-hoti-morri-detyren-u-bashkerenduan-per-te-bojkotuar-por-nuk-u-beri-pune"

Gazeta Express

04/06/2020 10:09

Mustafa i godet Kurtin e Osmanin pasi Hoti mori detyrën: U bashkërenduan për ta bojkotuar, por nuk u bëri punë

Gazeta Express

04/06/2020 10:09

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka drejtuar kritika ndaj ish-kryeministrit Albin Kurti dhe kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, për bojkotim të bashkërenditur mes tyre sa i përket mosudhëheqjes së seancës së Kuvendit nga nënkryetarja e LDK-së dhe refuzimit për t’ia dorëzuar detyrën e kryeministrit Avdullah Hotit nga ish-kryeministri Kurti.

Mustafa ka shkruar në Facebook se bojkotimi i bashkërenditur i seancës nga Osmani dhe Kurti nuk iu bëri punë, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Bojkotimi i bashkërenditur i znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit dhe z. Albin Kurti, ish Kryeministër, nuk iu bëri punë.
E para iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për Kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i papresedan dhe i papërgjegjshëm”, ka shkruar Mustafa.

Kreu i LDK-së ka thënë, po ashtu, se deklarata e Kurtit që nuk ia dorëzon detyrën atij që e ka shkarkuar është e ulët.

“Sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit Hoti. Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut që e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte z. Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetveten me votën e mbi 2/3 të deputetëve”, ka thënë Mustafa.

Ai tutje ka thënë se pamja e sotme kur Hoti mori detyrën e kryeministrit vetëm me ceremoninë e nderit të FSK-së tregoi se para tij nuk kishte kryeministër.

“Pamja e mëngjesit të sotëm e Kryeministrit Hoti, në ceremonin e nderit të njësisë së FSK-së, flet qartë se para tij nuk kishte Kryeministër. Sepse çdo kryeministër me sjellje normale do t’ia dorëzonte detyrën pasardhësit të tij”, ka shkruar kryetari i LDK-së. /GazetaExpress/