Mustafa flet për korrupsionin në Qeveri, asnjë fjalë për kandidaturën për Shef të LDK’së


load
Gazeta Express
7 Korrik 2019 15:46


Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka kërkuar përgjegjësi prej Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, pas arrestimit të 23 zyrtarëve që merren me dhënien e lejeve të vozitjes.

Mustafa ka thënë se dikush duhet të japë përgjegjësi pse po vriten fëmijët nëpër rrugë nga shoferët që kanë blerë lejet e vozitjes.

“Ministri Lekaj, derisa po gjykohen rreth 20 zyrtarë të tij për korrupsion, e ka gjetur të merret me opozitën. Vërtetë, dikush po tallet me qytetarët! Veç jo opozita. Ministri do të ishte më mirë të mendojë, si prind që është, se sa janë nga shoferët me leje të blera nga zyrtarët e tij, që po vrasin fëmijët tanë nëper rrugë. Dhe të ndjej përgjegjësi. E jo të tregojë sesi duhet të mbetet në pushtet”, ka shkruar Mustafa në Fb.

Këto komente Mustafa i ka bërë në ditën kur Nënkryetarët e LDK’së paralajmëruan se zgjedhjet partiake do të përfundojnë këtë muaj me zgjedhjen e Kryetarit të ri.

Express shkroi të shtunën se Isa Mustafa po synon të rizgjedhet Shef i LDK’së, sikurse më 2010, duke bërë fushatë në mënyrë të fshehur.

Në garë për Shef të LDK’së pritet të jenë edhe Fatmir Sejdiu, Agim Veliu e Lutfi Haziri.

Ndryshe, Isa Mustafa, kishte marrë LDK’në në fundin e vitit 2010, kur kishte mundur Fatmir Sejdiun. Prej atëherë, Mustafa ka shënuar tri humbje të zgjedhjeve nacionale, ka humbur Komunën e Prishtinës, por ka rikthyer disa komuna që me herët e kishte humbur LDK’ja përfshirë Pejën, Gjilanin e Lipjanin. Isa Mustafa ishte rizgjedhur Kryetar i LDK’së në mandatin e kaluar me aklamacion pasi nuk e kishin lejuar të kishte kundërkandidat. Vjosa Osmani kishte dështuar të mblidhte nënshkrimet për ta sfiduar Mustafën.

Vitin e kaluar, Shefi i LDK’së kishte pasur probleme shëndetësore derisa ishte trajtuar Gjermani. Gjatë gjithë kohës, LDK ishte udhëhequr prej Nënkryetarëve të Partisë. Aktualisht, LDK ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament dhe numrin më të madh të Komunave.

Sidoqoftë, prej pas luftës në Kosovë, Isa Mustafa kishte mbajtur pozita nëpër borde të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të Universitetit të Prishtinës. Ai doli në skenën politike, duke qëndruar afër Fatmir Sejdiut. Ky i fundit kishte vendosur ta kandidonte për Kryetar të Prishtinës më 2007, ku kishte fituar përball Fatmir Limajt të PDK’së.

Po në vitin 2010, Mustafa ngjitet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi kishte fituar garën me Fatmir Sejdiun, të cilin e kishte këshilluar në cilësinë e ekspertit të ekonomisë. Ky sukses i tij ishte krejtësisht falë gjuhës së tij të ashpër kundër PDK’së dhe kundër SHIK’ut.

Duke qenë Kryetar i LDK’së, Mustafa për një kohë udhëheq edhe Prishtinën, deri në vitin 2013, kur humb garën e drejtpërdrejtë me Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes.

Te fundit


Kthehu lart