Muriqi i lënduar, në përkrahje të Kosovës sonte


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 10:43

Përkundër që e ka të pamundur të luajë në ndeshjet e nëntorit të Kosovës, sulmuesi Vedat Muriqi e ka shprehur mbështetjen e tij për bashkëlojtarët në Kombëtaren kosovare përmes Instagramit të tij.

Sulmuesi në formë Vedat Muriqi e lëndoi kyçin e këmbës në një ndeshje me klubin e tij, Fenerbahce, në fundjavë në Superligën turke, dhe të martën Federata e Futbollit e Kosovës konfirmoi se ai nuk ka arritur të riaftësohet me kohë dhe nuk do të jenë në gjendje të luajë, raporton Gazeta Express.

Kosova do të përballet me Çekinë nesër në Pilsen duke e ditur se vetëm fitorja e mban në garë për t’u kualifikuar në Euro 2020 në ndeshjen e fundit kundër Anglisë të dielën në Prishtinë. Humbja e Muriqit për këtë ndeshje ka qenë një goditje e madhe për skuadrën kosovare.

Megjithatë, përkundër që nuk do të jetë i pranishëm në fushën e lojës, Muriqi do t’i përkrahë bashkëlojtarët e tij nga largësia.

Duke folur të mërkurën në një konferencë për media në Pilsen, Challandes zbuloi se nuk po mendon ta zëvendësojë Muriqin me Atdhe Nuhiun.  

“Muriqi është një problem i vogël, por do të gjejmë zgjidhje. Nuk e kemi një lojtar të dytë si ai, por e rëndësishme është që ta japim një përgjigje si ekip. Nuk mund ta them nëse do të luajë Nuhiu në vend të Muriqit”, tha Challandes.

I pyetur se a është Kosova e gatshme për mbase ndeshjen më jetike deri tani, trajneri zviceran u përgjigj: “Ne jemi gati, kjo është e qartë. Nëse nuk do të ishim gati, do të qëndronim në Prishtinë”. /Gazeta Express/  

Te fundit


Kthehu lart