Muriçi thumbon Harry Kane-n në postimin e Ligës së Kampionëve në Instagram


Gazeta Express
19 Shtator 2019 9:47

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriçi, e ka pëlqyer një postim në faqen zyrtare të Ligës së Kampionëve në rrjetin social Instagram, ku flitej për aftësinë e Harry Kane për të shënuar nga pika e penalltisë.

Harry Kane e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes Olympiakos – Tottenham, që u zhvillua mbrëmë në kuadër të Ligës së Kampionëve, në minutën e 26-të të ndeshjes nga pika e penalltisë, shkruan Gazeta Express.

Sulmuesi anglez i ka shënuar plot 34 gola nga pika e penalltisë gjatë gjithë karrierës së tij, për klubin dhe ekipin kombëtar, por të njëjtin fat nuk e pati edhe në ndeshjen mes Anglisë dhe Kosovës.

Anglia siguroi fitore me rezultat 5:3 në ndeshjen kundër Kosovës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, mirëpo në atë ndeshje Aro Muriçi arriti t’i japë fund rekordit të mirë të Kane nga penalltitë duke ia pritur goditjen nga 11-metërshi.

Për këtë arsye, pëlqimi i Muriçit në postimin e faqes së Ligës së Kampionëve për aftësinë e Kane të shënojë nga pika e penalltisë u vërejt edhe më shumë nga tifozët.

“Gjejë një lojtar që është më i mirë në penallti. Po presim…”, shkruhej në postimin e Ligës së Kampionëve.

Përkundër që Kane e shënoi atë penallti, skuadra e tij nuk arriti të marrë rezultat më të mirë sesa një barazim me rezultat 2:2 kundër klubit grek, duke e çuar dëm epërsinë prej dy golash. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart