Mungoi në varrimin e Diogo Jotas, presidenti i federatës portugeze e arsyeton Ronaldon - Gazeta Express
string(85) "mungoi-ne-varrimin-e-diogo-jotas-presidenti-i-federates-portugeze-e-arsyeton-ronaldon"

Futboll

Gazeta Express

02/08/2025 20:18

Mungoi në varrimin e Diogo Jotas, presidenti i federatës portugeze e arsyeton Ronaldon

Futboll

Gazeta Express

02/08/2025 20:18

Presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proenca, ka dalë publikisht në mbrojtje të Cristiano Ronaldos, pasi kapiteni i Portugalisë u përball me valë kritikash për mungesën në varrimin e bashkëlojtarit të tij, Diogo Jota.

Bota e futbollit u trondit muajin e kaluar, kur Diogo Jota dhe vëllai i tij, Andre Silva, humbën jetën në një aksident tragjik automobilistik në veri të Spanjës. Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm pak ditë pasi Jota ishte martuar me të dashurën e tij të fëmijërisë, Rute Cardoso, me të cilën kishte tre fëmijë të vegjël.

Megjithëse figura të njohura të Kombëtares si Bruno Fernandes, Ruben Dias dhe Bernardo Silva ishin të pranishëm në ceremoninë mortore në Gondomar, Ronaldo vendosi të mos marrë pjesë, gjë që shkaktoi reagime të shumta dhe kritika në rrjetet sociale.

Sipas burimeve pranë sulmuesit të Al-Nassr, vendimi për të mos marrë pjesë ishte marrë për të mos tërhequr vëmendjen nga qëllimi kryesor i ceremonisë: nderimi i jetës së Jotës dhe vëllait të tij.

Presidenti i Federatës Portugeze, Proenca, i quajti akuzat ndaj Ronaldos të padrejta dhe të pabaza.
“Është një padrejtësi e madhe të thuhet se Cristiano u tregua i ftohtë në këtë rast,” tha Proenca. “Që nga momentet e para, kapiteni ynë ka qenë pranë nesh dhe familjes së Jotës. Ai ishte një nga ata që e ndjeu më thellë këtë humbje, sepse ishte një shok i vërtetë skuadre. Mungesa e tij fizike nuk ndryshon asgjë, sepse kurrë nuk e ka braktisur këtë familje.”

Edhe motra e Ronaldos, Katia Aveiro, reagoi ashpër ndaj kritikëve. Në një postim emocional në Instagram, ajo rikujtoi kohën kur familja e tyre humbi babanë dhe përjetoi presionin e medias dhe kureshtarëve, duke theksuar se dhimbja e vërtetë nuk shihet nga jashtë.
“Është turp të shohësh komentatorë e rrjete sociale që merren me një mungesë, në vend që të nderojnë dhimbjen e një familjeje të shkatërruar,” shkroi Katia.

Ronaldo dhe Jota nuk luajtën asnjëherë bashkë në klub, por ndanë shumë momente me Kombëtaren Portugeze, përfshirë triumfet në Ligën e Kombeve në vitet 2019 dhe 2025, duke luajtur 32 ndeshje së bashku.

Pas lajmit të aksidentit, Ronaldo reagoi me një mesazh prekës në rrjete sociale: “Nuk ka kuptim. Vetëm pak kohë më parë ishim bashkë në Kombëtare, sapo ishe martuar. Ngushëllime familjes tënde, gruas dhe fëmijëve. Pusho në paqe Diogo dhe André. Do të na mungoni të gjithëve.”