Mungesa e dëshmitarëve shtyn gjykimin për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës


Gazeta Express
11 Qershor 2019 10:46

Në mungesë të dëshmitarëve Fatmir Gashi dhe Hamide Mustafa ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica, deklaroi se dëshmitarja Mustafa ka qenë e pranishme në dy gjykime që nuk kanë arritur të mbahen dhe ka qenë e njoftuar për seancën e së martës.

Ajo tha se dëshmitarja e ka njoftuar atë se ka djalin e sëmurë dhe gjendet në Prizren, dhe se nuk mund të paraqitet në gjykim, si dhe kishte kërkuar të njoftohet për seancën e ardhshme.

Sa i përket dëshmitarit Gashi, gjykatësja Krasniqi- Jashanica, deklaroi se ai është ftuar me ftesa të gjykatës dhe është lëshuar edhe një aktvendim për verifikim të adresës për të.

Prokurori Rafet Halimi, deklaroi se propozon të shtyhet seanca në mënyrë që të dëgjohet dëshmitarja Mustafa.

Ndërkaq, gjykatësja Krasniqi–Jashanica, deklaroi se nuk paraqet pengesë nëse dëgjohet mbrojtja e të akuzuarve nëse janë të gatshëm, e pastaj të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve.

Ndërkaq, avokati i Ismet Halitit, Ramiz Krasniqi, deklaroi se propozon të lexohen dëshmitë e tyre, meqenëse sipas tij, nuk ka çfarë të thuhet më shumë nga ata, por prokurori Halimi, kërkoi sërish që të shtyhet gjykimi.

Avokati Krasniqi, deklaroi se ligji nuk e lejon të jepet mbrojtja e dëshmitarët të merren në pyetje më pas, shkruan ‘Betimi për drejtësi’.

Kurse, gjykatësja Krasniqi- Jashanica deklaroi se nuk ka ndalesë të vazhdohet dhe nuk është shkelje.

Mirëpo, avokati Krasniqi e kundërshtoi sërish këtë gjë dhe propozoi të shtyhet seanca, ashtu sikurse prokurori Halimi.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 30 korrik, nga ora 9:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ismet Haliti dhe Skender Canolli, akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, nga viti 2008, e deri në vitin 2014.

Prokuroria pretendon se Haliti, në pozitën e shefit të sektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës dhe Canolli si ekzekutues-përmbarues në Komunën e Prishtinës, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim që Habib Vllasaliu, të fitojë çfarëdo dobie pasurore duke mos zbatuar në tërësi aktvendimin e Komunës së Prishtinës, të datës 5 tetor 2006, për rrënimin e objektit të ndërtuar pa leje, në pronën e Vllasaliut.

Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Haliti është njoftuar në formë të shkruar nga inspektorët e ndërtimit se duhet të veprohet në bazë të aktvendimit të 5 tetorit 2006, dhe të rrënohet objekti, të akuzuarit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i mundësuar Vllasaliut të përfitojë dobi pasurore nga ndërtimi që prokuroria e konsideron pa leje.

Te fundit


Kthehu lart