“Mundet, por tani për tani jo”. Shqipëria kafkiane e Valentina Bonizzit - Gazeta Express
string(67) "mundet-por-tani-per-tani-jo-shqiperia-kafkiane-e-valentina-bonizzit"

“Mundet, por tani për tani jo”. Shqipëria kafkiane e Valentina Bonizzit

Arte

Valona Hasani

12/08/2022 14:21

‘Homage to Kafka’, video-instalacion nga Valentina Bonizzi, është rezultat i një sistemi të korruptuar nga poshtë-lart dhe anasjelltas. Përfshin maltretimin, torturat që iu bëhen njerëzve të cilët i kërkojnë të drejtat e tyre për diçka që as që duhej të diskutohej.

Nga Valona Hasani

Lexo Edhe:

Valentina Bonizzi është lindur në Milano, jeton dhe punon midis MB dhe Shqipërisë.

Duke gërmuar në arkiva dhe duke i hulumtuar komunitetet, vepra e Valentina Bonizzi nxjerr në pah çështjet e drejtësisë sociale në lidhje me politikën e kohës në kontekste specifike. Bonizzi punon me një sërë mediash si filmi, fotografia, zëri dhe aksionet në hapësira publike.

Valentina ka një Master të Kërkimit në Praktikat Vizuale nga Shkolla e Artit në Glasgow dhe një PhD (financuar nga AHRC) nga Universiteti i Dundee (Qendra e Kërkimeve Vizuale).
 Ekspozitat e përzgjedhura përfshijnë: Autostrada Biennale në Kosovë etkj. Ajo ka prezantuar punën e saj në një sërë institucionesh si Akademia e Arteve Ramallah, Palestinë, Akademie der Künste, Berlin etj.

Kafka shkroi “Procesin” në vitin 1915. Ky libër, si një ndër veprat me të rëndësishme të shekullit të XX, u publikua më vonë, pas vdekjes së tij.

Një shekull pas, përshkrimi i një situatë të njëjtë rikthehet në objektin e kryeministrisë së Shqipërisë.

Në ndërtesën kryeministrisë, pikërisht në vitin 2015, pra saktësisht 100 vjet pasi që Kafka shkroi kryeveprën “Procesi”, Rama themeloi Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD).

COD-i është agjenci qeveritare e krijuar nga kryeministri Rama me synim që hyrja e këtij institucioni të qëndrojë hapur për publikun.

Ku ishte ndërlidhja e librit të “Procesi” të Kafkës dhe situatës që po zhvillohej në katin e parë të ndërtesës ku qëndron Edi Rama?

Pse COD-i mbylli dyert për publikun nga 18 shkurti e deri me 18 maj, të vitit 2017, pra fiks 3 muaj? Çfarë tentativash përdori një burrë nga fshati për të hyrë aty? Çfarë proteste po zhvillohej ndërkohë?

Përpara dyerve të COD-it, ishin vendosur pengesa gjatë 3 muajve rresht. Këto barriera, apo ndalesa ishin vendosur në hyrjen qendrore të zyrës së kryeministrisë. Shkaku, ishte një protestë e organizuar nga opozita.

Opozita e revoltuar, më anë të protestës kërkonte përparimin e ligjit për reformë e drejtësi.

Prej 18 shkurtit deri më 18 maj të vitit 2017, tenori shqiptar Agim Hushi këndonte Himnin Kombëtar të Flamurit.

Ai zgjohej në nëntë e gjysmë për të kënduar Himnin, në protestën e organizuar nga opozita.

Kjo situatë që ndodhi në Shqipëri 5 vite më parë, e tani po përsëritej në një projektor në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Artisja vizuale Valentina Bonizzi realizoi një video prej 8 minutash. Ajo tregon kronologjinë e një ngjarje që lidhet kryekëput me librin e shkrimtarit Franz Kafka.

Videoja fillon me tentimin e një burri për të hyrë në objektin e kryeministrisë, aty ku ishte COD-i. Burri u ndalua nga roja dhe ky i fundit i tha “mundet, por tani për tani jo”.

Burri priti me ditë të tëra, javë, muaj e vite. Pra ai ishte përgatitur për të gjithë situatën. Duke marrë të gjitha sendet më me vlerë dhe duke iu drejtuar rojës që t’i marrë.

Roja u përgjigje “Po i marrë, vetëm që ti të mos thuash që nuk i kë provuar të gjitha mënyrat”.

Deri më tani po shpërfaqej një lloj bashkëpunimi në mes korruptuesit dhe të të korruptuarit, por i korruptuari s’ishte viktima.

Dhe jo vetëm, aty po ndodhte një padrejtësi duke kërkuar të drejtën që të hyjë në një objekt, ku kanë të drejtë të hyjnë të gjithë.

Në esencë, në librin e Kafkes, po arrestohej një person për një krim që s’e kishte kryer kurrë.

Burri, sipas Valentinës, pra autores së këtij filmi, kaloi vite përballë këtij institucioni. Madje roja ndër të tjera i kishte thënë:

Po deshe hyr brenda pavarësisht se është e ndaluar, vetëm hapi sytë: unë jam i fortë, por jam i fundit nga fuqia, përballë çdo salle është nga një roje, njëri më i fuqishëm se tjetri”.

Nuk kishte më rëndësi, kush priste dhe çfarë priste, e rëndësishmja ishte kush e priste atë, apo sa e prisnin.

Burri priste vazhdimisht, përgjigja e njëjtë, pra të mos guxosh të hysh në atë hapësirë, edhe pse ishte e lejuar për të gjithë.

Filmi ‘Homage to Kafka’ apo ‘Homazh për Kafkën’ është një reflektim mbi përvojën e përditshme të kohës së pritjes së ligjit, frymëzuar nga “Procesi” i Kafkës.

I gjithë video-instalimi është rezultat i një sistemi të korruptuar nga poshtë e lartë dhe anasjelltas. Përfshin maltretimin, torturat që iu bëhen njerëzve të cilët i kërkojnë të drejtat e tyre për diçka që as që duhej të diskutohej.

Kur ligji vlen vetëm për dikë, kur diskriminohesh përmes ligjeve. Kur dhe ku aty s’funksionon asgjë, ndoshta vetëm asgjëja funksionon siç duhet.

Filmi ‘Homage to Kafka’ është pjesë e Manifestës që po vazhdon të mbahet në Prishtinë.

/Gazeta Express