Mozaiku i plotë! Çfarë duhet të dini rreth tërmetit që shkundi Shqipërinë dhe pse kësaj here ishim me ‘fat’


Gazeta Express
22 Shtator 2019 20:21

Ishte ora 16:04 minuta momenti kur një tërmet i magnitudës 5.8 ballë të shkallës rihter shkundi Shqipërinë dhe solli përhapi një panik të paparë prej mëse 30 dekadash në të gjithë vendin.

Epiqendra, fatmirësisht ishte në detin Adriatik, pak kilometra larg Durrësit… nëse tërmeti do të godiste në tokë, atëherë dëmet do të ishin të konsiderueshme. Thellësia prej 10 kilometrash nga ku gjeneroi tërmeti, po ashtu ka qenë një tjetër faktor “fatsjellës” për të gjithë, pasi intensiteti është ulur. Të njëjtën thotë dhe sizmiologu shqiptar Rrapo Ormeni ne nje interviste televizive.

“Jemi me fat për këtë tërmet. Pasojat kanë qenë të vogla se thellësia e tërmetit ka qenë shumë e madhe”, tha Ormeni.

Nga orët e drekës dje, e deri më sot, zyrtarisht janë raportuar 569 banesa të dëmtuara si dhe 53 pallate. Dëmtimet ndodhën më së shumti në Durrës e Tiranë.

Në raport me numrin e dëmeve materiale, personat e lënduar qenë rreth 132, qytetarë të cilët janë paraqitur vetë në urgjencat e spitaleve të Tiranës dhe Durrësit.

Nuk munguan as dëmet në 5 shkolla, një qendër shëndetësore, një kabinë elektrike si dhe 4 në 4 automjete.

Pamjet e shkatërrimit të banesave apo krisjet që kanë pësuar një sërë pallatesh, lanë të kuptohej se tërmeti jo vetëm që përcolli panik kudo në Shqipëri, por tregoi dimensionin e frikshëm dhe tragjedinë që mund të shkakojnë lëkundjet e tokës, që në shumicën e rasteve shqiptarët kanë patur mundësinë t’i shohin vetëm përmes televizionit në vende të tjera të botës.

Sizmiologët nga ana e tyre kanë patur mjaft “punë” këtë 24 orësh, pasi dalja e tyre në media ka qenë e shpeshtë. Në një mendim janë shumica prej tyre, pjesa më e rrezikshme kaloi dhe nuk pritet që të ketë lëkundje të forta. Përtej këtij fakti, lëkundjet do të vijojnë derisa gjithçka të “shuhet”.

“Janë regjistruar mbi 340, 5 prej tyrë më të ndjeshme në Tiranë dhe Durrës. Aktiviteti sizmik ka vazhduar dhe do të vazhdojë, përderisa këto quhen pas goditje, se e gjitha energjia nuk çlirohet në goditjen e parë. Pas goditjes ndodhin në po këtë zonë. Energjia është magnituta, sa më e madhe është magnidutat, është edhe tërmeti, ndërsa intesiteti është ndjeshmëria. tek banorët banesa. Nuk ka pasur intesitet më  të madh se ka qenë shumë thellë. Nëse do ishte më i cekët atëherë do ishte ndjerë më shumë. Sa më shumë i largohemi qendrës, aq më e vogël është vala. Është ndjerë në të gjithë Shqipërisë”, tha sizmiologu Ormeni në një intervistë për Report tv.

Një reagim për tërmetin në Shqipëri e bëri edhe sizmiologu i njohur grek Akis Tselentis, i cili u citua disa javë më parë nga Meta, teksa ky i fundit paralajmëronte për një tërmet të fortë. Tselentis u shpreh se goditja e djeshme ishte dhe më e forta dhe se nuk priten të tjera lëkundje të asaj shkalle. Por përpos qetësimit, sizmiologu grek paralajmëroi:

“…do të ketë vazhdimisht lëkundje për disa kohë. Dhe mundet që një prej këtyre lëkundjeve të jetë edhe me efekte shkatërruese, pasi nëse një shtëpi ose banesë është dëmtuar paksa edhe me një lëkundje me të lehtë mund të shëmbet. Do kujdes të veçantë në orët e ardhshme.”-tha sizmiologu grek.

Por duhet thënë se përveçse tërmetit me magnitudën më të lartë, në Adriatik, Durrës e Tiranë janë ndjerë qindra pas-goditje, që variojnë nga 4 ballë në 2 ballë të shkallës Rihter.

Në veçanti shumë persona janë frikësuar në orët e mbrëmjes kur një tjetër tërmet i shkallës 4.6 ballë goditi sërish, duke zgjuar nga gjumi shumëkënd dhe duke tmerruar edhe më tutje ata shqiptarë që zgjodhën ta kalojnë natën jashtë banesave. Disa prej tyre për shkak të shtëpive të dëmtuara apo të rrënuara, ndërsa disa të tjerë thjesht për shkak të frikës.

Raste të tilla ka patur plot, si kjo grua e moshuar në Tiranë, e cila e ka patur të vështirë të djeshmen jo vetëm sepse iu dëmtua shtëpia, por edhe sepse ka djalin në karrocë me rrota. Ky i fundit zgjodhi të flinte jashtë banesës së tij, i bindur se nëse diçka ndodhte, atëherë do ishte e vështirë për të.

Në Durrës situata është paraqitur edhe më e errët, teksa në stadiumin e qytetit janë vendosur tashmë shtretër dhe çadra për të akomoduar qytetarët e prekur nga tërmeti. Kjo zonjë deklaroi për median se ishte në pallatin e saj pati plasaritje dhe se në asnjë mënyrë ajo nuk do ta kalonte natën duke patur një vajzë të vogël.

“Isha me vajzën e vogël kur ra tërmet. Vajza e vogël po luante, kur ka rënë tërmeti. Kam mbetur në vend dhe vetëm Zotit i jam lutur, asgjë tjetër. O Zot na ndihmo thashë. U plasarit dritarja. Gjithë natënh këtu e kemi kaluar, u thamë se bën disi ftohtë. Këmbë njeriu nuk u pa. Por nga tmerri që pashë, më mirë këtu”, deklaroi zonja.

Lëkundjeve nuk i kanë shpëtuar as institucionet në Tiranë, veçanërisht kryesia e kuvendit dhe Muzeu Kombëtar.

Kryesia e Kuvendit
muzeu kombetar

Nga ana tjetër në media ka patur një sërë vështirësish për të paraqitur saktë ndryshimin mes intensitetit dhe magnitudës së një tërmeti. Në disa media është njoftuar se tërmeti ka qenë 7.5 ballë dhe sipas inxhinierit Bashkim Kopliku, nëse do të kishim patur një magnitudë të tillë, i gjithë mozaiku i ngjarjeve do të ishte thellësisht ndryshe.

Ja çfarë deklaroi ai në një intervistë për Neës24:

“Tërmeti ka dy karakteristika, njëra që shkakton tërmetin dhe tjetra efekti që ka kjo energji. Është magnituda dhe intensiteti. Unë mendoj se tërmeti i djeshëm në Durrës ishte rreth 6 ballë. 6 ballë është kur ndërtesat nuk prishen, por ka dëmtime. Ndërsa 7 ballë ndërtesat prishen, e më tej. Një tërmet, si ai i djeshmi, mbetet 5.8 ballë për të gjithë njerëzit kudo ku janë, por ama efektet në Ëashington janë zero, ndërsa për ata në Durrës janë të shumta. Sa më afër burimit të jesh, aq më tepër efekte dëmtuese ka tërmeti. Është edhe struktura e gjithë tokës, nga burimi i energjisë, deri aty ku shohim pasojat e tërmetit”,

Një tjetër dimension i tërmetit ka qenë dhe vijon të mbetet frika.

Mijëra qytetarë që popullojnë dy prej qyteteve më të mëdha të vendit janë përballur me një fenomen që prej dekadash nuk kish ndodhur. Ditën e djeshme rrugët në Tiranë e Durrës ishin përplot.

Madje në media qarkulluan dhjetëra video që tregonin sesi qytetarët kanë ikur të tmerruar me vrap në çastin kur tërmeti goditi dhe shkundi vendin.

Një video-kolazh të disa pamjeve të kapura nga kamerat e sigurisë mund ta gjeni më poshtë:

Në aspektin politik deri më tani qeveria dhe autoritetet vendore më së shumti kanë nisur të bëjnë bilancet e dëmëve të shkaktuara. Deri më tani kryeministri ka vizituar disa shtëpi nga ku ka premtuar se qeveria do të kryejë restaurimin e tyre, ndërsa autoritetet bashkiake si ajo në Tiranë psh kanë premtuar se banesat sociale dhe konviktet do të jenë të hapura për këdo qytetar të cilit banesa i është dëmtuar. I vetmi premtim i bërë deri më tani është ai i përcjellë nga zv.kryeministri, i cili është shprehur se për këdo qytetar që kërkon ta rindërtojë banesën e prekur nga tërmeti, qeveria do t’i garantojë lejen e ndërtimit dhe planin falas.

Tërmeti ka patur dhe një jehonë botërore. CNN, Reuters, Der Spiegel, Ansa, etj media prestigjoze kanë shkruar në lidhje me ngjarjen. Por përtej anës mediatike, një sërë shtetesh kanë ofruar ndihmën e tyre financiare apo gjetkë për t’i qëndruar në krah nevojave që mund të ketë qeveria në përballimin e situatës.

Te fundit


Kthehu lart