Mourinho tallet me Pochettinon dhe Kloppin: Çka kanë fituar ata?


Gazeta Express
15 Maj 2019 12:35

Jose Mourinho e ka thumbuar Mauricio Pochettinon për mungesën e trofeve të fituara me Tottenhamin, si dhe Jurgen Kloppin për dështimet e tij në finalet me Liverpoolin.

Trajneri argjentinas i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, nuk e ka fituar asnjë trofe me tre klubet që i ka drejtuar deri më tani. Më së afërti një trofeu ai shkoi në vitin 2015, kur humbi në finale të League Cup kundër Chelseat, transmeton Gazeta Express.

Edhe pse skuadra e tij dështoi edhe këtë sezon të Premierligës dhe në dy kupat e Anglisë – League Cup dhe FA Cup – Pochettino mund ta fitojë trofeun e tij të parë në mënyrë të jashtëzakonshme, duke triumfuar në Ligën e Kampionëve, ku në finale do të takohet me Liverpoolin.

Pochettino ka marrë shumë lëvdata për punën që e ka bërë me lojtarët e tij në Tottenham, veçanërisht kur merret parasysh fakti që ai nuk ka transferuar asnjë futbollistë gjatë dy afateve të fundit kalimtare.

Në anën tjetër, edhe Jurgen Kloppi ka marrë shumë lëvdata për punën që e ka bërë me Liverpoolin, pasi që ka arritur në dy finale radhazi të Ligës së Kampionëve dhe këtë sezon i shkoi shumë afër titullit të Premierligës, duke mbetur prapa Manchester Cityt vetëm për një pikë.

Por, Kloppi nuk e ka dëshmuar aftësinë e tij nëpër finale. Gjatë karrierës së tij si trajner, ai është kualifikuar gjashtë herë në finale, mirëpo vetëm në njërën prej tyre kishte triumfuar. Me Liverpoolin deri më tani i ka humbur tri finalet në të cilat ka luajtur.

“Ata [Pochettino dhe Kloppi] i kanë skuadrat, i kanë lojtarët, e kanë strukturën… janë trajnerë të mirë. Çfarë kisha unë aq të veçantë sezonin tjetër kur e fitova finalen e Ligës së Evropës?”, ka thënë Mourinho.

“Çfarë ka fituar ai, cilin trofe? Unë e adhuroj punën e Mauricios dhe Jurgenit, që të dy e meritojnë të jetë të suksesshëm dhe s’ka asgjë më të madhe sesa të triumfosh në këtë garë, por njëri prej tyre do të humbasë”.

“Jurgeni do të jetë në finalen e tij të tretë. Nuk mund ta paramendoj se çfarë ndjenjë do të ishte për të që të luante në tri finale në Evropë dhe të mos fitonte”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart