Mourinho i tregon problemet e Man Unitedit: Lojtarët, organizimi dhe ambiciet


Gazeta Express
15 Maj 2019 11:29

Jose Mourinho beson se problemet e tij në Manchester United ishin për shkak të lojtarëve, organizimit dhe ambicies së klubet dhe ai i ka mohuar sugjerimet se Paul Pogba ishte fajtor për shkarkimin e tij nga pozita e trajnerit.

Trajneri portugez u shkarkua nga posti i tij në Manchester United më 18 dhjetor, pasi që kishte nisur keq sezonin e tij të tretë në Old Trafford. Pozita e Mourinhos u rrezikua edhe nga marrëdhënia e tij me lojtarët e skuadrës, veçanërisht me Paul Pogbën, transmeton Gazeta Express.

Edhe pse forma e “Djajve të kuq” u përmirësua dukshëm pas ardhjes së Ole Gunnar Solskjaerit, paraqitjet e tyre u keqësuan sërish afër fundit të sezonit dhe Manchester Unitedi përfundoi në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës.

Fundi zhgënjyes i Manchester Unitedit këtë sezon e ka theksuar nevojën për një revolucion në skuadër, përmes transferimit të lojtarëve të rinj, por mediat kanë raportuar edhe për largimin e disa prej yjeve të skuadrës, si Paul Pogbas.

Dhe Mourinho thotë se Manchester Unitedi ka probleme të mëdha që ia pamundësuan atij t’i arrijë qëllimet, duke thënë se ka shumë më shumë gjëra për t’u fajësuar për dështimin e tij sesa marrëdhënia e keqe me Pogbën.

Kur u pyet nga L’Equipe se a ishte ai viktimë e Pogbës, Mourinho tha: “Jo, jo. Problemet janë aty, ju mund ta paramendoni se problemet janë lojtarët, organizimi dhe ambicia. Unë vetëm, dua të them se nuk mund të përgjigjem me “Po” kur më pyesni se a është Pogba përgjegjës për shkarkimin tim.

“Për Manchester Unitedin, unë mund t’i them vetëm dy gjëra. E para është që koha ka folur dhe e dyta është që problemet janë ende aty. Nuk dua të flas më për Manchester Unitedin”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart