Mosndryshimi i status quo-s, kusht për ekzistencën e koalicionit PAN - Gazeta Express

Mosndryshimi i status quo-s, kusht për ekzistencën e koalicionit PAN

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

01/04/2019 14:44

Sa më shumë po vazhdon status quo-ja e krijuar nga koalicioni PAN aq më shumë po rriten efektet negative të cilat po determinohen nga kjo gjendje. Kjo nuk po i konvenon as mirëqenies së qytetarit, as sigurisë dhe të ardhmes së vendit tonë, përkundrazi.

Faton Abdullahu

Përbrenda koalicionit PAN aktualisht kemi dy qasje diametralisht të kundërta për një çështje shumë të rëndësishme. Njëra është që taksa të hiqet dhe tjetra që ajo të mos hiqet. Këto dy qasje kanë krijuar një status-quo dhe kjo gjendje inerte si duket po u leverdis të dyja palëve që janë rreshtuar kundër njëra-tjetrës, ku akuzat dhe kundërakuzat tash sa kohë nuk mungojnë. Përbrenda kësaj gjendjeje të krijuar të dyja grupet, ajo kundër dhe ajo për taksën, kanë shpjegime të ndryshme për qëndrimet e marra, prej të cilave mundohen të nxjerrin sa më shumë përfitime, por në të njëjtën kohë edhe të krijojnë bazë për të ndërtuar sulmet kundër palës tjetër bashkëqeverisëse. Thjesht, palët përbërëse të koalicionit PAN, akuzat e ndërsjella i përdorin si distancim nga gabimet të cilat në të vërtetë i bëjnë bashkë tash sa kohë.

Arsyeja kryesore pse vazhdon të mos ndryshojë kjo status-quo nuk është se kështu të dyja palët përbrenda koalicionit PAN me qasje të ndryshme për taksën duan të vazhdojnë me akuza të ndërsjella. Jo, këto akuza janë vetëm determitë anësore të cilën e shfrytëzojnë të dyja palët përderisa janë futur në këtë gjendje inerte. Mirëpo, arsyeja kryesore pse të dyja palëve me qëndrim të kundërt për taksën ju konvenon status quo-ja është se çdo lëvizje përpara që do ta ndryshonte këtë gjendje, do të nxiste mospajtime të reja apo thënë më mirë, mospajtimet tashmë të kthyera në përçarje, do të stërkeqeshin edhe më shumë. Prandaj detyrimisht nuk ndryshohet gjendja që ajo të mos shkaktojë më shumë dëme për koalicionin PAN, për të cilën palët përbërëse si duket ende kanë disa dëshira e interesa që ajo të mbijetojë. Pra çdo marrje me problemet e rëndësishme për vendin dhe qytetarët, bëhet peng i mospajtimeve dhe gatishmërisë së palëve për ta sulmuar më shumë njëra-tjetrën. Kështu që mosndryshimi i status-quo-s bëhet premisë për ekzistencën e koalicionit PAN. Në këtë kalkulim politik gjithsesi duhet pasur parasysh edhe zgjedhjet e brendshme të PDK-së të cilës parti tani prishja e këtij koalicioni nuk i konvenon sepse do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme për çka PDK-ja nuk është gati. Ndërkaq, AAK-ja me hierarkinë e padiskutueshme familjare përbrenda partisë, nuk ka drojë nga mospajtimet apo përçarjet partiake, por frika se ndryshimi i kësaj gjendje çon në zgjedhje të reja para se çfarëdo tjetër e bën që ajo me çdo kusht ta mbajë gjendjen ekzistuese.

E keqja më e madhe nga krejt kjo është se, sa më shumë po vazhdon status-quo-ja e krijuar nga koalicioni PAN aq më shumë po rriten efektet negative të cilat po determinohen nga kjo gjendje. Kjo nuk po i konvenon as mirëqenies së qytetarit, as edhe sigurisë dhe të ardhmes së vendit tonë, përkundrazi. Në rend të parë po ngec dialogu me Serbinë. është krijuar bindja gjithsesi e gabuar se prolongimi i dialogut me Serbinë mbron Kosovën nga korrigjimi i kufirit, përkatësisht shkëmbimi i territorit me fqinjin verior. Në të vërtetë ky është paragjykim politik i cili jo vetëm tërthorazi determinon antipati ndaj aleatit tonë më të dëshmuar SHBA-së. Në të vërtetë, sa më gjatë e prolongojmë dialogun, duke mbajtur gjendjen e krijuar, ne ftohim marrëdhëniet me partnerët tanë, sidomos me SHBA-në, të cilët na thonë vazhdimisht se taksa duhet të suspendohet menjëherë dhe dialogu të vazhdojë. Asnjëherë që nga përfundimi i luftës së fundit raportet tona me SHBA-në nuk kanë qenë në nivel më të ulët. Një qeveri, si kjo e Haradinajt e cila nuk hyn në dialog me Serbinë nga paranoja se SHBA-së do të ndryshojnë kufirin në dëm të Kosovës, duhet të largohet me urgjencë.

E keqe tjetër që determinohet nga status-quo-ja është situata në veri të vendit. Me atë që nuk po bën në veri të vendit, askush më shumë se Qeveria aktuale nuk po i kontribuon krijimit të gjendjes faktike në terren si përgatitje për shkëmbim të territorit me Serbinë. Për ta mbajtur status-quo-n, veriu po anashkalohet deri në bojkot institucional nga qeveria Haradinaj. Nga ky prizëm duhet parë edhe refuzimin e stërkequr të Listës serbe ndaj institucioneve të vendit tonë. Pse duhet përfaqësuesit e komunitetit serb të marrin mundin të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës, kur është përhapur shumë projekt-propozimi se veriu do t’i bashkëngjitet Serbisë. Duket se sipas këtyre përfaqësuesve, ky refuzim e shtyn përpara propozimin e korrigjimit të kufirit, përkatësisht shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Sa më shumë që serbët i refuzojnë institucionet tona, aq më shumë e ushqejnë propozimin për shkëmbimin e territoreve më Serbinë. Për më shumë si determitë e këtij inerti politik, që bëhet me një lloj marrëveshje në heshtje përbrenda koalicionit PAN, jo vetëm që nuk kemi njohje të reja por, kemi edhe revokime të njohjeve. Pa ndryshuar kjo gjendje nuk do të kemi njohje të reja, bile dhe ato të vjetrat mund të revokohen, sepse thjeshtë po bëhemi refuzues të një marrëveshje të re, apo finale me Serbinë, me çka po i japim material politik diplomacisë serbe të na paraqes si refuzues, por edhe rrezikues të paqes në rajon. Thënë përmbledhtazi status quo-ja po i leverdis vetëm koalicioni PAN për të vazhduar me të vjetrën. Çdo lëvizje e re pengohet, sepse ajo do t’i shtojë mosmarrëveshjet dhe përçarjet përbrenda këtij koalicioni të cilat detyrimisht çojnë në shpërbërjen e tij.