“Mos më lër asnjë ditë këtu” E paralizuar nga këmbët, por vogëlushja e jep një mësim për të rinjtë shqiptarë


Gazeta Express
10 Korrik 2019 19:48

Çohet përditë herët në mëngjes dhe pas punëve të vogla në shtëpi e pret detyra e saj më e rëndësishme, të mbajë në shpinë të bijën e paralizuar drejt për në shkollë. Zhaneta është 40 vjeçe por në fytyrën e saj lodhja ia ka marrë disa vite më shumë.

Historia e saj zhvillohet në fshatin Stroskë të Prenjasit. Jetesa në fshat është e vështirë. Zhaneta tregon se familja e saj jeton me rreth 60 mijë lekë të vjetra (40 euro) në muaj. Por përtej varfërisë, kjo nënë shqetësohet për fatin e vajzës së saj 11 vjeçare.

Në emisionin “shqiptarët për shqiptarët”, Zhaneta tregon se prej rreth 4 vitesh ajo shkon në shkollë me të bijën. E mban në kurriz derisa mbërrin në destinacion. Alesia është 11 vjeçe dhe nuk mund të ecë. Pavarësisht sprovës së madhe, ajo mbetet vajza me rezultatet më të mira në shkollë.

Emisioni e ndoqi vetë në një ditë shkolle rrugëtimin që Zhaneta bën me të bijën. Pamjet janë përmalluese, kurse fjalët e kësaj nëne për të bijën të dhimbshme.

Zhaneta: Kjo është rruga që bëj çdo ditë. Një gjysëm ore. Ndaloj ku ka gurë rrugës dhe pushoj. Alesia nuk rri në shtëpi. Do të shkojë në shkollë dhe mëson shumë. Unë kam dëshirë që ajo të arsimohet.

Kur lindi ishte në rregull, por në moshën 3 muajshe nisën problemet. Iu deformua shtylla kurrizore pastaj iu deformuan këmbët. Me veshkat i është bërë dy herë operacion. I ka këto dy pjesë të hapura, i vë një bebelino kështu poshtë (qan)… sepse pjesën e ujit e nxjerr në bark. Kisha dëshirë njëherë, të bëja një kontroll për vajzën, të dija nëse bëhet më mirë apo jo. Në Tiranë mjekët nuk më kanë dhënë shpresa, të më thonë çoje në filan vend që të bëhet më mirë. Për këtë kisha merak dhe së dyti për transportin. Një makinë. Ta ngasë burri, ose unë, do mësoj ta ngas.

Pas publikimit të rastit, emisioni “shqiptarët për shqiptarët” shkon në banesën ku jeton kjo vajzë, për t’i dhënë një lajm të mirë. Në shtëpinë e Alesias shkon Sidrit Bejleri. Ai e takon 11 vjeçaren dhe pas një bisede i kërkon të dalin jashtë shtëpisë, pasi ka një surprizë për të. Sidriti i tregon makinën me të cilën kanë ardhur dhe i thotë se tashmë ajo është e saj.

Bejleri: Ti ke thënë që nuk do ta lodhësh mamin më. Dhe ti na thë se doje një makinë për të shkuar në shkollë, apo jo?

Alesia: Po.

Bejleri: Ta dish që shqiptarët, kur dëgjuan këtë kërkesë tënden u prekën. Si të duket kjo makina këtu që ke përpara?

Alesia: E mirë

Bejleri: Kjo makina me të cilën erdha është e jotja.

Me të hyrë në banesë, Alesia i tregon të ëmës që tashmë nuk do të ketë më nevojë që ta mbajë në kurriz.

Alesia: Mami, tani nuk do më mbash më hopa…

Nëna e Alesias: Faleminderit thellësisht, Zoti ua shpërbleftë. Mua më është hequr një barrë shumë e madhe me makinën, ju falënderoj shumë.

Bejleri: Kjo vajzë e vogël i ka dhënë një mesazh shumë të rëndësishmë të gjithë fëmijëve tanë kudo ndodhen.

Dhe është Alesia ajo që e jep një mësim për të rinjtë shqiptarë. Ajo thotë që të gjithë duhet të mësojnë dhe shkollohen, dhe ky mesazh vjen nga një vazjë 11 vjeçe, e cila fatkeqësisht do të qëndrojë e lidhur pas karriges për të gjithë jetën e saj.

Në emision, Elvis Naçi tregon se kur e kanë parë rastin dy shqiptarë që jetojnë në Suedi, janë prekur nga rasti dhe kanë dashur të ndihmojnë për blerjen e një makine. Më tutje Naçi u shpreh se për Alesian do të vendoset gjithashtu një pension, në mënyrë që familjes t’i jepen disa të holla për t’i ndihmuar.

Naçi: Janë dy shqiptarë që jetojnë në Suedi dhe ata kanë dhënë para që Alesias t’i blehej një makinë. Ata nuk e njohin këtë familje, por kur e kanë parë emisionin më telefonuan dhe kërkuar të bëheshin pjesë e ndihmës. Ne do të japim dhe një pension për këtë familje, pasi ajo ka nevojë dhe për një suport pak më të madh.

Te fundit


Kthehu lart