Mos i lejoni fëmijët të qëndrojnë para ekraneve më shumë se një orë


load
Gazeta Express
5 Nëntor 2019 10:37

Një studim i bërë së fundmi, ka treguar se koha, të cilën fëmijët e kalojnë përpara ekraneve ka një impakt shumë të madh në zhvillimin e trurit të tyre  shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Në këtë studim është bërë skanimi i  trurit të fëmijëve të moshës 3 dhe 5 vjeç dhe është gjetur se ata, të cilët i përdorin ekranet më shumë se një orë në ditë, kanë një zhvillim shumë më të dobët të trurit në krahasim me ata, që nuk kalojnë shumë kohë duke i përdorur ato.  

“Ky është studimi i parë që ka dokumentuar lidhjen në mes të përdorimit të tepërt të ekraneve dhe efektin direkt, që ata kanë në strukturën dhe zhvillimin e trurit”, tha Dr. John Hutton, pediatër dhe autor i studimit. Ai gjithashtu tha se ky studim ka rëndësi të madhe, sepse truri ka periudhën e zhvillimit më të shpejtë gjatë kësaj moshe.

Në këtë studim është bërë ekzaminimi i trurit të 47 fëmijëve, të moshës 3 deri në 5 vjeç. Teknika që e kanë përdorur shkencëtarët ka pasur për qëllim vëzhgimin e masës së bardhë të trurit, e cila është përgjegjëse për organizimin e komunikimit në mes të pjesëve të trurit.

Kjo masë është e përbërë nga disa fibra, të cilat krahasohen me telat e një telefoni. Zhvillimi i dobët i i këtyre “telave” e ngadalëson zhvillimin e trurit. Rezultatet kanë treguar se fëmijët, të cilët qëndrojnë për një kohë të gjatë para ekraneve, e kishin këtë masë më pak të zhvilluar.

Nga ana tjetër, praktikimi i një instrumenti muzikor, leximi apo aktiviteti fizik e përmirëson organizmin dhe strukturën e masës së bardhë të trurit.

Sipas hulumtuesve, duhet të bëhen ende studime të tjera për të konfirmuar këtë teori plotësisht./Express

Te fundit


Kthehu lart