Monument për ‘dëshmorët’ e Erdogan, ironizon Gjon Junçaj: Ku është memoriali për shqiptarët e vrarë në Kosovë e Mal të Zi?


Gazeta Express
12 Gusht 2019 20:05

Ngritja e memorialit për dëshmorët e Erdoganit në liqenin artificial të Tiranës ka sjellë dhe reagimin e shqiptaro- amerikanit Gjon Junçaj.

Eksperti i misionit të OPDAT-it dhe ish këshilltari ligjor kundër korrupsionit në ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, është shprehur përmes një postimi në rrjetin social se qeveria dhe pushteti vendor do duhej të kishin vendosur të paktën dy memoriale dedikuar shqiptarëve në zonën e Liqenit, meqenëse në këtë zonë paska vend dhe për turqit.

Junçaj shkruan se ai nuk sheh asnjë memorial për shqiptarët e masakruar në luftën e Kosovës në liqenin artificial, ku në vitet 98’- 99 humbën jetën mijëra shqiptarë. Ai po ashtu kujton një ngjarje të para 100 viteve, kur në Hot të Malit të Zi po ashtu u vranë shqiptarë, përfshi këtu shkruan Junçaj dhe gjyshi i tij.

Postimi i plotë:

Të dashur politikanë të Tiranës, unë kam edhe dy përmendore për të shtuar në park ku përfshihen njerëz të vrarë jashtë Shqipërisë.

  1. Në vitet 1998-1999, mijëra burra, gra dhe fëmijë albasnas u vranë përmes Kosovës. Emrat e tyre nuk janë renditur në parkun publik në Tiranë. Jam i sigurt mijëra vizitorë kosovarë në Shqipëri çdo vit do ta vlerësonin këtë shenjë respekti.
  2. Në vitin 1919, 74 burra shqiptarë u morën nga shtëpitë e tyre malore në Hoti dhe u ekzekutuan së bashku nga ushtria e Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ata u hodhën së bashku në një varr masiv, ku mbeten edhe sot e kësaj dite, 100 vjet më vonë. Një nga ata burra është gjyshi im i madh. Unë dhe anëtarët e tjerë të familjes shqiptare dëshirojnë të shohin emrat e tyre edhe në park.
    Ne do t’i donim këto përmendore në parkun e Tiranës sepse ne nuk besojmë se ato i përkasin një parku në Stamboll. (Turqit do të pajtoheshin me ne për këtë)
    Ne nuk kemi lekë, euro, lira turke, apo ndikim politik për të paguar. Vetëm derdhja e gjakut shqiptar. Shpresojmë që kjo është një monedhë që do të pranoni gjithashtu.
    Faleminderit paraprakisht.

Kujtojmë se memoriali në nder të turqe që humbën jetën në grushtin e dështuar të shtetit në Turqi u inaugurua më 15 korrik, por në media u publikua vetëm dy ditë më parë. Bashkia, e cila mori pjesë në organizim nuk kishte dhënë asnjë lloj detaji në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa kryebashkiaku Veliaj ditën e djeshme reagoi duke thënë se nuk “ishte ndonjë tragjedi”./Express

Te fundit


Kthehu lart