Momenti i arritjes së Rabiotit në Torino, të hënën testet mjekësore


Gazeta Express
30 Qershor 2019 19:09

Adrien Rabiot tashmë ka arritur në Torino, për të kompletuar transferimin te “Zonja e Vjetër”.

Francezi do t’i kryejë të hënën testet mjekësore para se të nënshkruajë kontratë 4-vjeçare me Juventusin, raporton Gazeta Express.

Futbollisti pritet të fitojë 7 milionë euro në sezon te “Zonja e Vjetër” plus bonuse, ndërsa 10 milionë do të shkojnë për nënën e futbollistit që mundësoi këtë transferim me parametra zero, pasi të hënën i skadon lojtarit kontrata me Paris Saint Germainin.

Ai ka arritur në Torino para pak çastesh me aeroplan privat, derisa Juve ka publikuar një video kur lojtari zbret në Torino për të kompletuar transferimin te kampioni i Serie A.

24-vjeçari nuk ka luajtur për pjesën më të madhe të sezonit me PSG-në, pasi refuzoi rinovimin e kontratës me dëshirën për t’iu bashkuar Barcelonës, kjo e fundit hoqi dorë në fund pasi bleu në janar De Jongun nga Ajaxi.

Kështu, Rabiot e mbylli sezonin me 20 paraqitje dhe me 2 gola, që konsiderohet më i vështiri në karrierë, pasi qëndroi për disa muaj jashtë ekipit, nga viti 2019.

Rabiot, gjatë një ndeshjeje me PSG-në

Të hënën, gjithashtu pritet që Juventusi të njoftojë për arritjen e marrëveshjes për kapitenin e Ajaxit, Matthijs de Ligt.

De Ligt do t’i kushtojë Juventusit 67 milionë euro plus 13 milionë në varësi prej arritjeve në sezonin e parë me “Zonjën e Vjetër”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart