Molliqaj: Kuvendi të distancohet nga Brovina, AKI’ja ta verifikojë fotografinë


Gazeta Express
16 Maj 2019 22:35

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas raportimeve në media se është e rreme fotografia e publikuar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, e cila, sipas saj, shfaqte rastin e përdhunimit të një kosovareje nga ushtarët serbë gjatë luftës.

Molliqaj ka thënë se Kuvendi duhet të dalë me një deklaratë distancimi nga ajo që ka ndodhur.

Ai ka akuzuar edhe ish-kolegen e tij nga Vetëvendosje, Saranda Bogujevcin, që sipas tij tha se “familjarët kanë kërkuar që fotografia të hiqet”.

Molliqaj ka thënë se organet e sigurisë duhet të zbulojnë të vertetën e fotografive të publikuara sot.

“Nuk mendoj se mund të vazhdojë punimet kjo seancë pa u verifikuar informata e asaj se çka ka ndodhur. Për atë që pamë është rrenë. Por le ta verifikojë AKI-ja. Kuvendi duhet të distancohet”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka kërkuar dorëheqje nga të dyja deputetet.

“Nëse dalin të pavërteta deklarimet e të dyja deputetëve edhe i asaj Saranda Bogujevci edhe Flora Brovinës duhet të dyja të japin dorëheqje”, ka thënë Molliqaj.

Gazeta Express ka raportuar sot e para se fotografia e publikuar nga Brovina nuk është e vërtetë, dhe se rrjedh nga një ueb-sajt me përmbajtje pornografike.

Gazeta Express ka siguruar edhe filmin pornografik, nga ku është nxjerrë fotografia në fjalë.

Te fundit


Kthehu lart