Metoda e realizmit socialist qe një shpikje ideologjike e kritikëve
zyrtarë, që pati ndikime negative sidomos në krijimtarinë e talenteve mediokër.
Talentet nuk varen nga metodat as nga epokat, as nga politikat. Nëse
Shekspiri lindi në periudhën elisabetiane kjo nuk do të thotë që në periudhën e
sotme postindustrialiste të Anglisë të lindë medoemos një talent më i madh se
Shekspiri. Migjeni është një gjeni konceptual që nuk mund të klasifikohet me
formula letrare. As Xhojsi dhe as Gabriel Markezi, as Borgesi dhe as Saramago
nuk mund të klasifikohen në emër të metodave letrare.
Metodat letrare janë konvencionale, por janë më tepër një mundësi e
pakufishme interpretimi dhe nuk janë një realitet i mirëfilltë letrar.
Shkrimtarët e ndryshëm në kohëra të ndryshme mund t’i përjetosh dhe t’i lexosh
në çdo çast. Ata janë gjithnjë si tërësi dhe sintezë dhe jo veç e veç. Unë nuk
besoj tek metodat letrare, nuk kam besuar kurrë tek realizmi socialist.
Metodat letrare le t’ua lemë atyre që nuk janë letrarë, por që shpesh duan
monopol mbi letërsinë d.m.th. kritikëve dhe historianëve të artit./Hejza