Mjerim, 6 pjesëtarët e një familjeje jetojnë me pensionin e djalit me aftësi të kufizuara


Gazeta Express
25 Gusht 2019 21:58

I njohur si qarku më i varfër në të gjithë vendin, Kukësi duket se është gjunjëzuar para numrit të madh të familjeve që jetojnë në mjerim. Realitetin e shumë prej tyre e përcjellin këto tre familje në fshatin Orgjost të Kukësit.

Peshën më të madhe për të shtruar diçka në tryezë e kanë gratë kryefamiljare.  Përveç betejës për të siguruar një vakt bukë për familjarët, shumë prej anëtarëve lëngojnë prej dhimbjeve nga sëmundjet e rënda.

6 pjesëtarë të familjes Murati jetojnë në kushte ekstreme të varfërisë ku zonjës së shtëpisë i duhet të kujdeset edhe për djalin 25 vjeçar që prej vitesh është me aftësi të kufizuara. Ajo na tregon se barra e familjes rëndon mbi të, në një kohë kur i vetmi burim financiar i familjes është pensioni i djalit dhe puna sezonale në Kosovë e bashkëshortit të saj.

“Me vështirësi e përballojmë jetesën. Me pensionin e djalit jetojmë. Marrim dhe një ndihmë shumë të vogël ekonomike. Ata nuk më dalin për ushqim, për ilaçe dhe për gjërat që i duhen djalit invalid. Burri kur të gjeje një punë andej nga Kosova. Nuk ka mundësi tjetër. Gjendjen time e shikoni. Me më ndihmuar  djalin dua dhe të më rregullojnë shpinë”, thotë e zonja e shtëpisë.

Po të njëjtën gjendje e hasim edhe në një tjetër familje. Të zonjës së shtëpisë përveç kujdesit që duhet të tregojë për rritjen e dy fëmijëve të saj i duhet të kujdeset edhe për tre të moshuar dhe kunatën të cilët janë të sëmurë ndërkohë që bashkëshorti i saj është i papunë.

“Ju lutem të më ndihmoje kush ka mundësi të më rregulloje shtëpinë. Burri pa punë, me dy fëmijë të vegjël nuk mundemi për asgjë.  40 mijë lek pension merr plaka. Jo invalidi, por pleqërie. Ato nuk dalin as për pampersa për asnjë gjë nuk dalin. Kam tre pleq të sëmurë. Kam edhe motrën e burrit të sëmurë. Nuk kemi asnjë ndihmë as nga komuna as nga shteti”, tregon ajo.

Jetesë e vështirë në kushtet  e varfërisë ekstreme është edhe familja Pelivani me 5 pjesëtarë. Kjo familje çdo ditë jeton me frikën e shembjes së shtëpisë. Bashkëshortët, të dy të papunë kërkojnë ndihmë për rregullimin e shtëpisë pasi e kanë të pamundur ta ndërtojnë vetë.

“Nga shteti kërkoj të më rregulloje shtëpinë. Jemi të gjithë pa punë. Me ndihmë ekonomike jetojmë se nuk kemi punë këtu.

Punojmë në bujqësi se punë tjetër nuk ka këtu. Ndihma ekonomike është shumë e vogël. Shtëpia është prishur nga tërmetet”, thotë çifti i bashkëshortëve.

Por këto tre familje nuk janë të vetmet që bëjnë apel që dikush të kthejë sytë drejt tyre teksa për cdo ditë duket se po e humbasin betejën me mjerimin./report

Te fundit


Kthehu lart