"Mjegulla" rreth fuzionimit të kampionit të trefishtë të Kosovës me 1 milion euro borxhe - Gazeta Express
string(86) "mjegulla-rreth-fuzionimit-te-kampionit-te-trefishte-te-kosoves-me-1-milion-euro-borxhe"

“Mjegulla” rreth fuzionimit të kampionit të trefishtë të Kosovës me 1 milion euro borxhe

Futboll

Valon Konushevci

05/10/2022 15:22

Kampioni i trefishtë i Kosovës dhe fituesi i tri Kupave shtetërore, KF Feronikeli, as nuk është shuar e as nuk shihet në asnjërën prej tabelave të tri kategorive të futbollit kosovar. Një borxh i klubit prej rreth 1 milion eurosh u ka shkaktuar problem borxhlinjve, të cilët nuk po mund t’i nxjerrin ato. Klubi është fuzionuar me një klub tjetër, që tani quhet FC Feronikeli 74. Ky thotë se nuk ka asgjë të përbashkët me KF Feronikelin dhe se nuk mund ta marrë përsipër borxhin. Kurse, futbollistët e papaguar ankohen se nuk po mund t’i drejtohen FIFA-s pasi FFK-ja nuk po ua jep vërtetimet. As FFK-ja e as Komuna e Drenasit nuk iu janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express rreth rastit, i cili po konsiderohet si i dyshimtë në qarqet e futbollit. Një rast i mëhershëm i fuzionimit kishte përfunduar në Prokurori, e cila madje kishte ngritur edhe aktakuza.

Një kapitull shumë i rëndësishëm i historisë së futbollit kosovar i takon KF Feronikelit. Klubi nga Drenasi zë vend të rëndësishëm në këtë histori pasi është njëri prej klubeve më të trofeshëm në Kosovë me tre tituj të kampionit dhe me tri Kupa të Kosovës. Po ashtu, është një klub që e ka përfaqësuar Kosovën edhe në garat e UEFA-s. Por, rreth gjithë kësaj historie së fundmi është krijuar një mjegull e madhe. Nuk po dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur me këtë klub pas rënies nga Superliga në edicionin e kaluar, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Një klub me emrin KF Feronikeli nuk ekziston më as në kategorinë e dytë e as në kategorinë e tretë të futbollit kosovar.

Por, as nuk është shuar ky klub me nam pasi vazhdon të jetë i regjistruar në institucione shtetërore si OJQ me emrin KF Feronikeli dhe me përfaqësuesin e autorizuar Naser Ramaj, ish donatorin që ishte larguar nga klubi.

Por, në vend të KF Feronikelit në kategorinë e dytë të futbollit kosovar po garon FC Feronikeli 74. Është thënë se KF Feronikeli ishte fuzionuar me një klub tjetër që tashmë njihet si FC Feronikeli 74.

FC Feronikeli 74 është regjistruar si OJQ më 8 shtator të vitit 2020. Ky klub momentalisht është lider në Ligën e Parë, Grupin A.

FC Feronikeli 74 e ka marrë në shfrytëzim edhe faqen zyrtare të KF Feronikelit, të cilës në gusht të vitit 2020 ia kishte ndërruar edhe emrin nga KF Feronikeli në FC Feronikeli 74.

Mirëpo, FC Feronikeli 74 nuk e ka marrë mbi supet e tij edhe borxhin e madh të KF Feronikelit, i cili besohet se është rreth 1 milion euro.

Njëherësh, nuk dihet nëse FC Feronikeli 74 do ta trashëgojë historinë e KF Feronikelit të pasur me tre tituj të kampionit dhe tri Kupave.

Rreth rastit të KF Feronikelit dhe FC Feronikelit 74 kanë dal shumë pak informata zyrtare në publik.

Krejt çka thuhet është se dy klube janë fuzionuar në një dhe se nuk bëhet fjalë për shuarje të KF Feronikelit pasi të dyja figurojnë të regjistruara si OJQ. E ky fuzionim konsiderohet i dyshimtë në qarqet e futbollit kosovar.

Kjo situatë më së shumti u ka nxjerr problem disa futbollistëve dhe punonjësve dhe kompanive bashkëpunuese të cilave u ka mbetur shumë borxhe KF Feronikeli.

Disa futbollistë që nuk janë paguar nga KF Feronikeli ka javë që po i presin disa vërtetime nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) për t’ua dhënë ato në mënyrë që t’i nxjerrin paratë e tyre përmes FIFA-s.

Por, ata thonë se FFK nuk po ua jep dot vërtetimet dhe se as që po u lajmërohet dikush.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në FFK. Shtëpia e futbollit është pyetur pse nuk po ua jep vërtetimet futbollistëve dhe nëse procesi i fuzionimit të dy klubeve nga Drenasi është bërë konform rregullave të saj. Po ashtu, është pyetur se çka do të ndodh me trofetë dhe historinë e KF Feronikelit. Por, FFK – e udhëhequr nga kryetari Agim Ademi – nuk ka kthyer përgjigje.

Gazeta Express pyetje rreth këtij rasti ka dërguar edhe në Komunën e Drenasit, e cila udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci. Por as komuna deri tash nuk ka kthyer kurrfarë përgjigje.

I vetmi që ka kthyer përgjigje në Express është kryetari i FC Feronikelit 74, Erlind Krasniqi, i cili më herët ka qenë i angazhuar në KF Feronikeli si shef për marrëdhënie me publikun.

Krasniqi thotë se FC Feronikeli 74 nuk është trashëgimtar i KF Feronikelit dhe se nuk i trashëgon as borxhet e saj. Por, nuk ka treguar nëse do ta trashëgojë historinë e trofeshëm të KF Feronikelit.

“KF Feronikeli nuk e ka ndryshuar emrin, vazhdon ta ketë të njëjtin. Ne nuk jemi trashëgimtarë i KF Feronikelit, e vetmja gjë që na bashkon është historia rreth emrit. Feronikeli 74 e ka bazën në një klub tjetër, rrjedhimisht në një OJQ tjetër së cilës i është ndryshuar emri. Ne nuk trashëgojmë borxhe të dikujt tjetër, sikurse as ju si Gazeta Express nuk do të trashëgonit borxhet, ta zëmë, të RTK-së”, ka deklaruar Krasniqi.

“Normalisht që fuzionimi ka ndodhë me KF Feronikelin dhe ka ndodhë konform rregullave e akteve normative, konform Kuvendeve respektive të klubeve. Nëse nuk do të ndodhte si i tillë, atëherë ne nuk do të mund të garonim. KF Feronikeli ekziston, është aktiv në listën e OJQ-ve dhe lojtarët duhet të drejtohen aty. Ligjërisht ne jemi në rregull dhe nuk kemi obligime ndaj askujt. Secili futbollist që ka shkruar tek ne i kemi kthyer përgjigjet që i takojnë. Më pengon fakti që unë po “shenjohem” nëpër media për obligime të dikujt tjetër. Por, kushdo që dëshiron ti marrë përsipër ato obligime le të urdhërojë, ato sigurisht janë ende aktive”, deklaron Krasniqi.

Gazeta Express e ka pyetur Krasniqin edhe rreth asaj se prej nga financohet FC Feronikeli 74. “Feronikeli 74 financohet nga biznese të ndryshme, kjo falë ligjit të sportit që ka ndikuar që bizneset ti përgjigjen pozitivisht ftesës sonë”.

Ndërkohë, Gazeta Express ka biseduar me një ish zyrtar të lartë të KF Feronikelit. Ai thotë se kampioni i trefishtë nuk është shuar dhe se vetëm e ka pezulluar aktivitetin.

“KF Feronikeli ekziston ende. Nuk është shuar por vetëm është pasivizuar. KF Feronikeli ende është i regjistruar si OJQ dhe është në emër të Naser Ramajt. Nesër me deshtë dikush me marr klubin e merr pa problem, me gjithë trofetë dhe historikun. Por vetëm borxhet duhet t’i kryejë. Borxhet herët e vonë do të shlyhen se edhe me deshtë me shuar klubin është e pamundur të shuhet pa i kryer borxhet sepse është OJQ”, tha ish zyrtari i Feronikelit, i cili kërkoi të mos i zbulohet identiteti.

“Fuzionimi është temë tjetër. FC Feronikeli 74 e ka pasur emrin Furtuna dhe e ka bërë Feronikeli 74. A ka shkuar procesi në rregull ose jo, FFK-ja e ka njohur fuzionimin dhe Feronikeli 74 është duke garuar në kampionat”, tha ky ish zyrtar.

Rregullorja e Garave e FFK-së e ka një nen të veçantë që ka të bëjë me fuzionimin e klubeve.

Në nenin 62 thuhet: “Çdo klub merr vendim për fuzionim të klubeve në kuvendin e vet. Fuzionimi kryhet para fillimit të kampionatit të ri, dhe atë më së voni 30 ditë para fillimit të kampionatit.

Klubet e fuzionuara duhet të gjejnë një emër ndryshe nga ai që kanë pasur para fuzionimit. Klubi i cili është rezultat i fuzionimit, pas fuzionimit mbanë të drejtat e ekipit më të mirë të plasuar (të klubeve të fuzionuara), si të ekipit të seniorëve, juniorëve, kadetëve, pionerëve, veç e veç për secilën garë në të cilën kanë garuar ekipet gjegjësetë klubeve të fuzionuara.

E drejta e paraqitjes dhe mënyra e regjistrimit të anëtarëve (deri në momentin e fuzionimit) të klubeve të fuzionuara, përcaktohen me Rregulloren mbi regjistrimin e klubeve dhe lojtarëve.

Vlen të përmendet se në Kosovë edhe më herët ka pasur raste të fuzionimit të klubeve. Por, një rast i fuzionimit kishte përfunduar në Prokurori, e cila madje kishte nxjerr edhe aktakuza, pasi kishte konstatuar parregullsi dhe falsifikime. Bëhet fjalë për rastin e fuzionimit të KF Dardanës së Kamenicës me Vushtrrinë. Kamenicasit rastin e kishin denoncuar në Prokurori e cila pastaj edhe kishte ngritur edhe aktakuza. /GazetaExpress/